Foto: RTV 21

ZKA: Ministrisë së Arsimit nuk i kanë interesuar arsyet pse nxënësit kanë rezultate të dobëta në testet ndërkombëtare

Pjesëmarrja e Kosovës në Testin PISA dhe në teste të tjera ndërkombëtare kanë treguar se sistemi i arsimit në vend ka shumë probleme.

Por, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të identifikuar arsyen se pse nxënësit tanë kanë rezultatet shumë të ulëta në testet ndërkombëtare.

Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit përmes raportit të auditimit të performancës për “Vlerësimin e nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, për të vlerësuar nëse institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për përmirësimin e mësimdhënies dhe vlerësimin e nxënësve në Kosovë.

“Rezultatet e testeve ndërkombëtare në të cilat ka marrë pjesë Kosova tregojnë se ne po marrim shumë pak pikë krahas me vendet e tjera (në vendin e tretë të fundit nga 77 vende pjesëmarrëse), që është tregues se synimi i rezultateve sipas lëndëve në kurrikulë nuk po zbatohet siç është synuar”, thuhet në raport.

ZKA thotë se nuk është themeluar as Komiteti i Vlerësimeve Ndërkombëtare, që do t’i vlerësonte dhe adresonte mospërputhjet dhe boshllëqet në këtë situatë.

Njohuritë e rreth 7 mijë nxënës të Kosovës edhe këtë vit do t’i nënshtrohen testit ndërkombëtar PISA. Në vitin 2015 dhe në vitin 2018, ky test, i cili bën vlerësimin në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore.

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU.