VIDEO - PSD pyet Kurtin: Kur do të përjashtohet ministrja Arbërie Nagavci?

Pas rezultateve të nxënësve kosovarë në testin PISA, Partia Social Demokrate pati aktivitet para Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kjo parti në xhamat e Ministrisë shkroi “990 ditë mungesa pa arsye” duke shtuar edhe një grafit të ministres Arbërie Nagavci.

Donjeta Demolli nga kjo parti pyeti kryeministrin Kurti se kur do të përjashtohet ministrja Nagavci.

“E kemi një ministre që nuk ka dështuar sepse nuk ka provuar asgjë. 990 ditë ka mungesa të paarsyeshme dhe nuk është përjashtuar nga kryeministri. Pse po ndodh kjo? Asnjë lajm të mirë në fushën e arsimit që tre vjet nuk e kemi marr. Për më tepër që dje e kemi marr një lajm shumë të keq në raport me rezultatet e testit PISA. E kemi një Ministre që në vend se të marr përgjegjësinë paturpësisht gënjen qytetarët. Sipas organizatës që organizon testin PISA, Covid-i nuk është arsyetim i mjaftueshëm për dështimin e shteteve në këtë test” – deklaroi Demolli.

PSD thotë se Ministrja Nagavci ka tentuar të shtyp sindikalistët e arsimit e madje u bëri presion me testin e mësimdhënësve por që sipas tyre ky testim nuk u përmend më.

Ata kritikuan Qeverinë edhe me dështimin e ndërtimit e 160 çerdheve.

PSD thotë se në Universitetin e Prishtinës u ul buxheti dhe pagat për profesorët.

Në matematikë Kosova është në vendin e 74 nga 80 vende pjesëmarrëse, me 11 pikë më pak krahasuar me vitin 2018.

Në lexim, Kosova është e 76-ta nga 80 vendet pjesëmarrëse, me 342 pikë.

Në shkencë, Kosova renditet e 77-ta nga 80 vende pjesëmarrëse, me 357 pikë, në këtë fushë ka rënie më të ulët për 6 pikë krahasuar me vitin 2018.

20 përqind e nxënësve kosovarë, sipas testit ‘PISA’ kanë arrit nivelin e kënaqshëm kurse të tjerët janë nën nivelin e kënaqshmërisë.