PDK: Arsimi po degradohet, në Prishtinë ka mungesë shumëvjeçare të investimeve

Partia Demokratike e Kosovës i ka numëruar disa nga problemet në fushën e arsimit në Prishtinë duke e kritikuar edhe kryetarin e kësaj Komune, Shpend Ahmetin, për mungesë të investimeve.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci deklaroi se është e pajustifikueshme që në Prishtinë të ketë nevoja për investime në cilësi dhe infrastrukturë në arsim dhe t’i teprojnë paratë nga buxheti komunal.

“Është tërësisht e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme që të kemi gjithë këto nevoja për investime e Komunës t’i teprojnë nga 20 milionë euro në vit ndërkaq Qeveria ta shkurtojë për afër 12 milionë euro buxhetin për arsim. Thjeshtë mungesa e investimeve shumëvjeçare në çerdhe dhe shkolla rëndoi dhe po vazhdon ta rëndojë jetën e prindërve në Prishtinë. Pikërisht kur në këto kohë të vështira pandemie problemet e lartpërmendura nuk do të duhej të ekzistonin më përkundrazi listës së tyre i janë shtuar edhe shumë e shumë të tjera”, deklaroi Stavileci.

Stavileci potencoi se pasiguri e dilema të shumta që nga cilësia e mësimit deri te siguria fizike e fëmijëve po e përcjellin secilën familje prishtinase.

“Mjaftojnë referencat nga rezultatet e PISA-s, për dy testimet ku Kosova mori pjesë që dëshmuan cilësinë e dobët në arsim si dhe raporti i Bankës Botërore për vitin 2020 ku thuhet se një i ri 18 vjeç në Kosovë ka një hendek prej 5.3 vitesh në mësimnxënie fatkeqësisht edhe për këtë rezultat të dobët e mungesë cilësie, asnjëherë nuk janë ndërmarrë masa as nga niveli qendror e as nga niveli lokal si dhe nuk është kërkuar llogari nga menaxhmenti i shkollave”, tha ai.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci iu referua edhe raportit të Komisionit Europian për vitin 2020 i cili tregon se vetëm 6.2% e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç  janë të përfshirë në edukimin e hershëm ndërsa në vendet e OECD-së, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim përfshirja është mbi 87%.

“Ndërkaq ne sot ende përballemi me mungesa elementare infrastrukturore. Këto të dhëna dëshmojnë nevojën e vazhdueshme për investime në cilësi dhe në infrastrukturë”, tha Stavileci.

Më tej ai ka thënë se qeverisjet lokale të LVV-së dhe LDK-së e kanë degraduar arsimin në Prishtinë.

“Qeverisjet lokale të dy partive në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së jo vetëm që nuk po kanë vizion, dije, guxim dhe energji për t’i çuar proceset përpara dhe për ta përmirësuar arsimin por ato janë shndërruar në pengesën kryesore të kësaj fushe duke e degraduar në të gjitha format dhe nivelet me çka po rrezikohet e ardhmja e fëmijëve tanë”, potencoi Stavileci.

Nga ana tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi përmendi si problem në kryeqytet mungesën e mjekut dhe psikologut në shkolla.

“Kemi mungesë të mjekut dhe psikologut në shumicën e shkollave dhe kjo do të duhej të konsiderohej si domosdoshmëri dhe jo e nevojshme vetëm në kohë të pandemisë”, tha Musliu-Shoshi.

Më tej, deputetja Musliu-Shoshi tha se PDK e sheh si problem edhe menaxhimin e mësimdhënësve nëpër shkolla kur nxënësit po dalin pozitiv me COVID-19.

“Problem është edhe nëse një nxënës del i infektuar atëherë ajo klasë po dërgohet në shtëpi ndërsa mësimdhënësi i asaj klase po vazhdon punën”, përfundoi ajo.