Musliu-Shoshi për Bislimin: Nuk ofroi asnjë informatë konfidenciale për dialogun por u mor me mua

Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë mbajti një takim më 15.02.2024. Por, dyert e sallës ku po mbahej ky takim ishin të mbyllura për media. E gjitha për shkakun se para mbikëqyrësve parlamentarë po raportonte zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, për ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi.

Por, pas përfundimit të takimit, foli deputjetja nga Partia Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi. 

Duke mos e parë të udhës që raportimet e tilla të mbahen me dyer të mbyllura, ajo tha se dialogu Kosovë-Serbi ka një masë të konfidencialitetit, mirëpo janë disa gjëra kryesore që duhet të dihen nga qytetarët dhe mediat.

“Në këtë mbledhje nuk pati as edhe një informatë të vetme të cilën e konsiderojmë konfidenciale. Pra, krejt ajo çfarë provon pushteti të bëj është që të ngrisë drama në publik se gjoja po flitet diçka me konfidencialitet. Nuk pati asnjë informatë më shumë se ajo që e keni dëgjuar dhe e keni parë në prononcimet e zotërit Bislimit, dhe nga ato të cilat i ka shfaqur në rrjetet e tij sociale” – deklaroi Shoshi.

Ajo njoftoi se kishte kërkuar të di nga zëvendëkryesministri Bislimi se kush janë partnerët e Kosovës me të cilët duhet të përparojë sa i përket çështjes së dialogut.

“Nga ajo çfarë unë kërkova ishte që të na tregojë se nëse Amerika nuk është partner me të cilin ne bashkëpunojmë; nëse ShBA-ja nuk është vend mik, e që ne e vlerësojmë si aleat; dhe nëse Borrell dhe Lajçak nuk janë persona kredibil në përfaqësim” – ka treguar Musliu-Shoshi.

Tutje, ajo tha se Bislimi ia ka përmendur studimet e saj në Kolegjin Amerikan R.I.T. (AUK) dhe këtë e ka quajtur “sulm personal”.

“Sulmet ishin të nivelit profesor-student se gjoja unë jam lëshuar në plagjiaturë në kohën sa kam qenë studente, gjë që nuk qëndron pasi që unë kam qenë studente me A-ja në AUK, dhe mbi të gjitha kam qenë studente bursiste. Më vjen keq që në nivelin akademik, në nivelin që përfaqëson sot, kemi ardhë në pikën ku në vend që të raportohet për atë çfarë po ndodhë me rrugën të cilën po e ndjek shteti jonë … lëshohet në nivel kaq të ulët personal me mua dhe me deputetët e tjerë” – ka bërë të ditur ajo.

Musliu-Shoshi ka deklaruar se në Komision nuk është raportuar asnjë informacion konfidencial nga ana e Bislimit.

“Nuk ka pas asgjë konfidenciale, mirëpo qëllimi ka qenë që as edhe këto pak informata të cilat deshi që t’i ndajë me ne, nuk i ndau për shkak se vlerësoj që unë jam pengesë në këtë Komision dhe vazhdoj me një raportim rutinë” – ka theksuar ajo.

Përveç kësaj, Shoshi ka thënë se asnjë raport nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe Bislimi nuk dorëzohen paraprakisht kur mbahen mbledhjet e këtij Komisioni.

Ndryshe nga deputetja Shoshi, kryetarja e këtij Komisioni, Arbëresha Kryeziu Hyseni ka thënë se arsyeja pse u mbajt i mbyllur raportimi i zëvendëskryeministri Besnik Bislimit për dialogun Kosovë-Serbi është për shkak të disa dokumenteve konfidenciale që ai ka ndarë me anëtarët e Komisionit.