MAShTI nuk ua di as adresat mbi 30 zyrtarëve serb që u jep rrogë, Pupovci thotë se nga ky muaj 'do t'ua qesim pagën zero'

Pagesat mbi 130 mijë euro për 32 zyrtarë të komunitet serb nga ana e Ministrisë së Arsimit, që nuk kanë dalur asnjë herë në punë, ka qenë temë e diskutimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike gjatë raportimit të Zv/Ministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci për raportet e Auditorit të Përgjithshëm.

Kryetarja e këtij Komisioni nga LDK, Hykmete Bajrami, foli për gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm për MAShTI-n, për problemet me ekzekutimin e pagesave si dhe për pagat e 32 zyrtarëve serbë që janë paguar pa dalur në punë dhe të tjera.

Zv/ministri Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha se MAShTI këtë muaj nuk do t’i qes pagë 32 zyrtarëve serb, në mënyrë që të paktën, sipas tij, të lajmërohen.

Pupovci tha se kanë prej 32 personave vetëm me 3 prej tyre kanë arritur të kontaktojnë përmes telefonit.

“Për 32 punonjësit serb ka vështirësi, ne fillimisht kemi bërë përpjekje t’i kontaktojmë, por vetëm 3 janë paraqitur në numër telefonin që e kanë lënë. Ne s’kemi as informacione si duhet dhe këtë muaj do t`i qesim në paga në zero në mënyrë që të na paraqiten kur t`i kemi të shohim si mund të menaxhohet”, tha ai.

Sipas Pupovcit, ky problem nuk është nga MAShTI por nga marrëveshja e arritur në Bruksel me Serbinë e ashtuquajtur ‘Mbrojtje Civile’.

“Kjo është nga marrëveshja në instanca më të larta dhe mendoj së këta zyrtarë mund të angazhohen vetëm në pjesën veriore nëse na përgjigjen si ministri dhe mendoj se kjo çështje duhet të diskutohet në nivel të Qeverisë”, tha më tëj zv/ministri.

Pupovci po ashtu theksoi se kjo është çështje e ndjeshme politike, sepse kanë hyrë në listë të pagave pa asnjë procedurë.

Ai shtoi se zyrtarët janë me shkollim të mesëm dhe është vështirë t’i shfrytëzojnë.

Diskutim tjetër në komision ishin edhe gjetjet e shumta të raportit të Auditorit për projekte të 6 universiteteve publike.

Pupovci gjatë raportimit në këtë komision tha se gjetjet e raportit të auditorit për universitetet publike e ngarkojnë shumë dhe e vështirësojnë menaxhimin në MAShTI.

“Ne kemi propozuar që të pavarësohen si njesi financiare të veçanta sepse një numër i ndjeshëm i gjetjeve ka të bëjë me këto universitete”, tha Pupovci.

Udhëheqësi i divizionit të Financave në MAShTI, Fehmi Zylfiu po ashtu tha se përgjegjësia është e universiteteve publike, por po i faturohen MAShTI-it.

“Përgjegjësia është universiteteve publike sepse kanë përgjegjës – rektor, jo MAShTI t’i marrë këto shkelje sikurse dhe Qendra e Studentëve, sepse ata kanë pasuri financiare, dhe MAShTI s’ka mbikëqyrës i kanë zyrtarët e vet”, tha Zylfiu.

Pas deklarimit të MAShTI-it, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave iu drejtua atij me ‘ironi’.

“Gati na binde që s’keni ju faj, kanë ministritë e tjera, universitetet publike e të tjera, por mendoj që edhe ju keni pak faj”, tha Hykmete Bajrami.

Ndërsa, Qerkini Morina nga Zyra Kombëtare e Auditimit tha se gjendja në MAShTI vetëm ka shkuar duke u përkeqësuar.

“Më shqetësuese është se nuk ka përmirësim të gjendjes po përkeqësohet. Para 1 viti kanë qenë 14 , tash janë 22 dhe më tepër 5 prej tyre janë përsërit, është një neglizhencë e zyrtarëve të ministrisë që si kanë trajtu fare. Gabimet vit më vit shkojnë me pasojë më të mëdha”, tha ai.

Ai shtoi se ka mungesë të koordinimit mes 6 Universiteteve Publike dhe MAShTI-it, por bëri thirrje të ketë kujdes dhe rekomandimet e auditorit të merren parasysh.

Anëtarja nga AAK në këtë komision, Albana Bytyqi kritikoi mos pjesëmarrjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që sipas saj, ajo po e neglizhon raportimin e saj në Komision.

Por, anëtarja nga LVV, Mirlinda Sadiku tha se kjo nuk është e vërtetë sepse ajo ka marrë pjesë në një raportim tjetër.

Anëtarët e tjerë të këtij komisioni kërkuan sqarime të tjera sa i përket gjetjeve të auditorit për vitin 2020/2021.

Zv/Ministri Dukagjin Pupovci tha se është formuar një komision brenda MAShTI që po punon në adresimin e gjetjeve të ZKA-së.

KALLXO.com kishte raportuar për gjetjen e raportit të Auditorit për zyrtarët serb. Sipas raportit të auditorit të përgjithshëm, këta punonjës ishin planifikuar të sistemohen nëpër komunat në pjesën veriore të Kosovës. Megjithatë, në aktemërimet e tyre, të punësuarit janë sistemuar në pozita të caktuara brenda departamenteve përkatëse në ministri.

Auditori kishte rekomanduar që MAShTI duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore.

130 mijë euro paga për 32 punëtorë pa dalë asnjëherë në punë

.