Grafika: Trembelat për Kallxo.com

MASHTI: 97% e aplikimeve për libra u janë proceduar pagesat

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se deri sot nga platforma eKosova kanë pranuar 191,483 aplikime nga të cilat, 111,745 aplikime për klasat I-V për tekste dhe materiale shkollore si dhe 79.738 aplikime për klasat 6-9 për materiale shkollore.

Sipas ministrisë, nga grupi punues i MASHT dhe MFPT janë verifikuar dhe proceduar pagesat e 97% të aplikantëve dhe ky proces është duke u përmbyllur me sukses.

“Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI)ka njoftuar se të gjitha rasteve të aplikantëve për fëmijët e regjistruar në klasën e parë nën moshën 6 vjeçare, pas kërkesës në [email protected] u është lejuar mundësia e aplikimit”- theksohet në njoftim.

Tutje, ministria thekson se i kanë zgjidhur rastet për furnizim me tekste shkollore për komunitetet jo shumicë dhe grupet e nxënësve me kujdestari ligjore.

“Deri më tani në adresë të MASHTI, nuk kemi pranuar asnjë ankesë zyrtare nga komunat apo shkollat lidhur me furnizimin e nxënësve me tekstet shkollore”- u tha në njoftim.

Ministria potencon se aplikimi do qëndroj i hapur edhe më tutje në platformën eKosova si dhe do mundësohet aplikimi fizik në drejtoritë komunale të arsimit.

“Me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa përfituar nga kjo mbështetje, platforma eKosova do të qendrojë e hapur dhe po ashtu do të mundësojmë edhe aplikimin fizik në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat”- thuhet në njoftimin e ministrisë.