Një klasë në shkollën fillore “Pavarësia”. FOTO: KALLXO.com

Aplikimi për subvecionim të librave, ministria e Arsimit thotë se do të ofrojnë asistencë fizike për ata që nuk kanë aplikuar ende

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Taulant Kelmendi ka bërë të ditur numrin e aplikuesëve për subvencionim të librave dhe materialit shkollorë.

Sipas tij, deri sot kanë marr mbi 178 mijë aplikime në platformën eKosova, derisa do ofrojnë edhe ndihmë nëpër komuna për ata persona që nuk kanë mundur të aplikojnë.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), njofton se deri sot nga platforma eKosova kemi pranuar 178,580 aplikime nga të cilat, 105,404 aplikime nga klasat I-V për tekste dhe materiale shkollore dhe 73,176 aplikime nga klasat 6-9, të cilët tashmë i kanë tekstet shkollore dhe kanë aplikuar për mbështetje për materiale shkollore. Platforma do të jetë e hapur për aplikim deri në fund të muajit shtator”- ka bërë të ditur Kelmendi.

Ai theksoi se nga Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Inspektorati i Arsimit nuk është raportuar për asnjë shkollë që nuk është duke e mbajtur procesin mësimor për shkak të mungesës së teksteve.

“Nga MAShTI janë procesuar për pagesë pas verifikimit 130,000 aplikantë dhe në fillim të javës së ardhshme do të procedohet pjesa tjetër. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do të ju transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante që transferimi të bëhet në intervale sa më të shpejta kohore”- shtoi ai.

Kelmendi ka potencuar se do ofrojnë asistencë fizike për ata që nuk kanë mundur të aplikojnë.

“Për ta lehtësuar edhe më shumë këtë proces të aplikimit për pjesën e mbetur të atyre që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të aplikojnë, do të ofrojmë edhe asistencë fizike nëpër komuna. Lokacionet për secilën komunë do t’i bëjmë publike bashkë me institucionet tjera mbështetëse”- është shprehur tutje ai.

Sipas zv/ministrit Kelmendi, procesi i furnizimit me tekste shkollore me këtë praktikë është shumë më i shpejtë sesa me praktikat e aplikuara në vitet e mëhershme.

Viti i ri shkollor ka nisur  më 1 shtator, derisa këtë vit tekstet shkollore janë blerë nga prindërit për dallim nga vitet paraprake që janë siguruar e shpërndarë nëpër shkolla nga Ministria e Arsimit.

Ky proces është përcjell nga një debat i gjerë publik për faktin se shumë prindër mund të mos kenë qasje në platformën eKosova, si dhe ka komuna në të cilat mungojnë libraritë.