Lutfi Haziri preferon hapjen e shkollave

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka reaguar në lidhje me shqyrtimin e operacioneve për fillimin e mësimit në shtator.

Haziri, ka thënë se po shqyrtohen seriozisht tri opsionet e MASH’it, por sipas tij nuk është në përgjegjësinë e tyre se cili nga këto opsione do të duhej të implementohet, për normalizim të sistemit të arsimit.

“Unë mbetem i përkushtuar që arsimi duhet të normalizohet me vijueshmëri të rregullt në shkollë, por duhet të gjendet modaliteti që të parandalohet përhapja e infeksionit. Është e paqëndrueshme të pretendohet që mund të ndërtojmë arsim online në Republikën tonë, pa kurrëfar kapacitete, përvoje e mundësie teknologjike. Edhe ashtu, sistemi arsimor në Kosovë në rrafshin e vlerësimit të PISA’s, është shumë keq dhe pandemia mund ta përkeqësojë”, ka thënë Haziri.

Ai ka theksuar se arsimtarët, prindërit, nxënësit dhe institucionet komunale, duhet të mobilizohen në gjetjen e rrugës më të mirë, në mënyrë që testi i pjekurisën, regjistrimi i nxënësve dhe fillimi i shkollës të normalizohet në kushte pandemie.

Ministria e Arsimit ka tre skenarë për fillimin e vitit shkollor.

Skenari A ku është paraparë kthimi në shkolla me masa parandaluese nga COVID-19.

Skenari B, ku është parashikuar kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar, prezencë në shkolla dhe mësim në distancë.

Dhe skenari C, ku është paraparë mësimi në ditancë dhe online.

Kujtojmë se që nga marsi i vitit 2020, nxënësit e të gjitha niveleve në Kosovë kanë mbajtur mësimin online për shkak të situatës me pandeminë në vend.