KFOR dhuron tabela interaktive për shkollat në Shtërpcë

Ushtarët e KFOR-it të Komandës Rajonale Perëndim kanë dhuruar gjashtë tabela elektronike, gjashtë video-projektorë dhe gjashtë laptopë për rreth dy mijë nxënësit që vijojn mësimin në Shkollat e Shtërpcës.

Sistemi lokal arsimor në Shtërcë përbëhet nga gjashtë shkolla fillore dhe të mesme, ku marrin pjesë  nxënës që i përkasin katër grupeve etnike të Kosovës.

“Përurimi i njërës prej tabelave të bardha interaktive u zhvillua në shkollën “Staja Markoviç” në Shtërpcë, dhe u ndoq nga Komandanti i Komandës Rajonale të KFOR-it Perëndim, kolonel Gianluca Figus, së bashku me drejtorët e gjashtë shkollave që do të përfitojnë nga donacioni. Në inaugurim morën pjesë gjithashtu shumë nxënës dhe patën mundësinë të provojnë pajisjet e reja.”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërsa, Srdjan Ivanoviç, zv.drejtori i një shkolle të mesme thuhet të ketë thënë se paisjet e dhuruara do të lehtësojnë procesin mësimor.

“Pajisjet elektronike të marra sot do të lehtësojnë mësimin në internet që shkollat tona po implementojnë për të përballuar pandeminë Covid19, dhe gjithashtu do të mundësojnë një rritje të standardeve tona arsimore drejt niveleve evropiane”, ka thënë Ivanoviç.