Arrestohet i Dyshuari për Vrasjen e Donjeta Pajazitit

Lajmin për arrestimin e bëri të ditur për KALLXO.com prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj.

“Mbrëmë në orët e vona është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e Donjeta Pajazitit. Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë,“ tha prokurorja Disha-Haxhosaj.

Ajo nuk ka dashur të flasë me shumë rreth këtij rasti, sepse sipas saj hetimet janë në fazën fillestare.

Prokurorja tregoi se ka bërë kërkesë në gjykatë për caktimin e seancës për shqiptimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

Më 9 nëntor familja Pajaziti nga Stellci i Deçanit kishte raportuar në Policinë e Kosovë për zhdukjen e vajzës së tyre 24 vjeçares Donjeta Pajaziti.

Pas gjashtë javësh në bjeshkët e Stellcit u gjet një trup i pajetë që nga ekspertiza doli të jetë pikërisht i Donjeta Pajazitit.