Administrata në grevë, gjyqtari detyrohet të mbajë procesverbalin

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës edhe sot po vazhdon greva e punëtorve të administratës, e cila ka filluar nga java e kaluar.

Në këtë gjykatë sot po mbahet gjykimi lidhur me vrasjen qe kishte ndodhur në Zveqan, për të cilin rast të akuzuarit gjenden në paraburgim.

Andaj trupi gjykues ka vendosur të mbajë seancën por pa prezencën e procesmbajtëses.

Kurse e gjithë rrjedha e procesit po regjistrohet nga vetë kryetari i trupit gjykues

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, thuhet se në qershor të vitit 2016 në Zveçan i akuzuari Petar Peshiq pas një fjalosjeje me të ndjerin Nikolla Angjelkoviq kishte nxjerrë nga brezi revolen dhe kishte shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar plagë në sy dhe në stomak. I plagosuri ishte dërguar në qendrën klinike në Kragujevc të Serbisë dhe si pasojë e plagëve të marra kishte vdekur pesë ditë më vonë.

Me këtë ka kryer veprën penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Aktakuza e ngarkon edhe Gjorgje Spahiqin se pas një përplasjeje verbale me Gjorgje Angjelkoviqin me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta, duke shtënë shtatë herë në të me ç’rast i dëmtuari ka marrë lëndime në gjoks, bark dhe këmbë, duke rrezikuar kështu edhe jetën e personave të tjerë.

Me këtë i njëjti ka kryer veprën penale -vrasje e rëndë në tentativë.

Kurse i pandehuri Millosh Millovanoviq akuzohet për mbajtje në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë gjykim.

https://kallxo.com/vazhdon-gjykimi-per-vrasjen-ne-zvecan/