Abazi: Tërheqja e Bankës Botërore nga projekti i TC 'Kosova e Re', veprim shumë i rëndësishëm për Kosovën

Haki Abazi, bashkëthemelues i KOSID në debatin publik të organizuar nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm me temën “Tërheqja e Bankës Botërore nga investimet në thëngjill në Kosovë dhe gjendja aktuale e sektorit të mjedisit dhe energjisë” tha se tërheqja e Bankës Botërore nga përkrahja financiare për projektin “Kosova e Re” është vendim i qëlluar dhe mjaft me rëndësi për sektorin e energjisë në Kosovë.

Gjithashtu Abazi ka përmendur planin katërpikësh të KOSID që të mbrojë ambientin dhe të ndalë projektin e termocentralit “Kosova e Re” dhe formës së dëmshme se si po mendohet të bëhet.

“KOSID ka një pozicion të qartë dhe një plan katërpikësh dhe një është që të mos krijohen kapacitete të reja të qymyrit, e dyta është rritja e efiçiencës, numër tre është krijimi i lehtësimit të energjisë së ripërtërishme që përfshijnë panelet solare në shtëpi, e në fusha, përfshirja e energjisë së erës e që është bë progres, pika numër katër është transmisioni me Shqipërinë e që është plotësim i traktatit të Athinës që mos me ndërtu kapacitete në secilin vend, por me i shfrytëzu ato kapacitete në rajon në këtë rast transmisionin me Shqipërinë”, ka thënë Abazi.

Abazi po ashtu ka thënë se qymyri në Kosovë është i dëmshëm dhe se kurrë nuk do të shndërrohet në të pastër.

“Banka Botërore nuk e kishte marrë vendimin për tërheqje nëse ne nuk e kishim arsyetu si KOSID për secilën pikë, qymyri në Kosovë nuk është i pastër dhe kurrë nuk ka me u bë. Ne nuk kemi kod të ndërtimit, punojmë më një udhëzim administrativ që ndërtesat shpenzojnë shumë më tepër se energji për shkak të standardeve jo të mira të ndërtimit”, ka shtuar ai.