Aftësim dhe punësim në Gjermani | Foto: KALLXO.com

58 të Rinj Pritet të Aftësohen e Punësohen në Gjermani

Agjencia për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK) mbajti takimin përmbyllës me 58 punëkërkues të cilët pritet të shkojnë në Gjermani për shkollim, aftësim e më pas punësim.

Ky projekt u vlerësua si shenjë e mirë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermani

Kreu i Agjencisë për Përkrahjen e Punësimit Bedri Xhafa tha se 58 punëkërkuesit janë grupi i tretë i njerëzve që pritet të aftësohen për punë dhe të punësohen në Gjermani.

“Jemi ni grup këtu që po e quaj gjenerata e tretë dhe pse gjenerata e tretë. Dy gjeneratat e mëhershme, e para me 27 kandidatë dhe e dyta me 54 kandidatë janë ata të rinj kosovarë që tanimë gjenden në Gjermani në sistemin që ne e përshkruajmë si proces- shkollim, aftësim, punësim, në një profesion që është i ri në shoqërinë kosovare dhe ne e kemi përkthyer ‘përkujdesi ndaj të moshuarve’”, tha Xhafa

Dy gjeneratat e para sipas Xhafës e kanë çelë rrugën që aftësimi dhe punësimi në Gjermani të jetë afatgjatë.

Xhafa tha më tutje se Agjencia për Përkrahjen e Punësimit në Kosovë (APPK) bashkë me organizatën gjermane “Diakonie” vepron që tetë vjet për migrimin legal.

Johannes Flothow nga “Diakonie” tha se në Gjermani ka punë që lypin punëtorë.

“Gjermania është njëri nga shtetet fatlume që ka më shumë punë dhe ka mungesë të njerëzve që munden me kry atë punë. Nuk e di pse është kështu, po situata është e tillë. Prandaj Gjermania është në kërkim të personave që dëshirojnë të punojnë në Gjermani dhe kërkon persona të kualifikuar”, tha ai.

Përfaqësuesi i ambasadës gjermane në Kosovë Masten Mengers bashkëpunimin kosovaro- gjerman e vlerësoi të suksesshëm.

“Kjo në të vërtetë është një shenjë e mirë që tregon bashkëpunimin nga ana gjermane dhe ana e Kosovës dhe kjo tregon se sa i sukseseshëm mund të jetë një bashkëpunim i tillë”, tha Mengers.

Ai falënderoi APPK-në dhe Diakonie”-n që kanë zhvilluar këtë projekt me kaq shumë pasion dhe angazhim.

Në gushtin e vitit të kaluar prej këtij projekti kishin përfituar edhe 54 punëkërkues të cilët ia mësynë Gjermanisë për ndërtimin e karrierës profesionale të tyre.