24 vjeçari në Gjilan u vra me pushkë të gjuetisë

24 vjecari me inicialet A. N ka mbetur i vrarë ndërsa 47 vjeçari dhe djali i tij 16 vjeçar janë arrestuar mbrëmjen e kaluar nga Policia e Rajonit të Gjilanit për vrasje.

Me anë të një njoftimi policia ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e mbrëmshme.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës në Gjilan përmes telefonit ka pranuar një informatë për një rast vrasje. “Pas pranimit të informatës njësitet e stacionit policor të Gjilanit dhe  Hetimeve rajonale  i kanë ndërmarr të gjitha veprimet primare për zbardhjen e këtij rasti, si dhe menjëherë është njoftuar dhe prokurori i shtetit”, thuhet në njoftimit të policisë.

“Në vendin e ngjarjes krim teknika ka bërë procedimin e vendit të ngjarjes, si dhe janë ndërmarr masa  rreth  mbledhjes së  informacioneve lidhur me incidentin. Në vendin e ngjarjes ka dalë mjeku kujdestar dhe fatkeqësisht vetëm ka mundur ta konstatoj se viktima A.N.(1994), ka qenë pa shenja jete, dyshohet nga shkrepja e armës së zjarrit”, thuhet më tutje në njoftim.

Policia ka arritur që ti arrestoj dy të dyshuarit  të Kosovës banor rezident të fshatit Verbicë e Zhegocit 47 vjeçarin me inicialet B.N. si dhe djalin e tij 16 vjeçarin me inicialet A.N.

“Ata janë sjellë në stacion policor, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, po ashtu në vendin e ngjarjes është konfiskuar një pushkë e gjuetisë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, arma  është konfiskuar në cilësi të provës materiale. Janë identifikuar disa dëshmitar okular, të cilët po ashtu janë intervistuar nga ana e hetuesve policor, kurse në ndërkohë në vend ngjarje ka ardhur  prokurori i shtetit dhe  IML-ja të cilët me urdhër të prokurorit të shtetit, trupin e pa jetë të viktimës e kanë  dërguar për autopsi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndaj dy të dyshuarve nga ana e prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendimi mbi ndalim prej 24 orëve për të dyshuarin kryesor  të  miturin A.N,  si dhe 48 orëve  për të dyshuarin tjetër.

Sipas policisë dyshohet se kësaj ngjarje të rëndë ti kenë parapri mosmarrëveshjet dhe motivet e ulëta që kanë pasur në mes vete viktima dhe të dyshuarit.  Hetimet rreth këtij rasti të rëndë janë  në vazhdim.