Zjarret Kërcënojnë Qytetet Bregdetare në Mal të Zi e Kroaci

Qytetet dhe fshatra në bregun kroat dhe malazez të Adriatikut u mbuluan me tym të zi të hënën në mbrëmje pasi zjarret nëpër pyje vazhduan të përhapeshin, të ndihmuar nga një erë e fortë verilindore.

Flakët filluan në fundjavë në një sërë vendesh përgjatë bregdetit dhe janë zhvendosur në skajet e qyteteve të populluara, siç është qyteti bregdetar kroat i Splitit.

Në Mali të Zi, përveç qytetit bregdetare të Herceg Novit dhe Tivatit – të cilat janë më të rrezikuara – zjarret kanë zaptuar tashmë edhe pjesë të kryeqytetit, Podgoricë, dhe qytetin qendror të Niksiçit.

Në Kroaci, zjarret që ranë në një sërë fshatrash përreth malit të Mosorit, në jug të Splitit, u zhvendosën në rrethinat e tij – siç është Zrnovica në lindje, vendndodhja e një baze me raketa ushtarake – të hënën pasdite, ndërsa horizonti i qytetit dhe gjithë gjirin ishte u mbuluar me tym të zi.

Në mbrëmje, zjarret ishin zhvendosur drejt qytetit, duke u përhapur në varrezën Lovrinac në qytet si edhe në vendgrumbullimin e mbetjeve në Karepovac, gjë që mund të shkaktojë probleme të mëtejshme me përhapjen e gazrave helmuese.

Pikërisht për këtë arsye autoritetet i paralajmëruan banorët e Splitit të qëndrojnë në shtëpi, të mbyllin dritaret dhe të lejojnë futjen e ajrit në shtëpi vetëm nëpërmjet kondicionerëve që filtrojnë ajrin.

Edhe pse kryetari i qytetit të Splitit, Andro Opara, tha se ushtria ishte vënë në lëvizje për të parandaluar përhapjen e zjarrtit në lagjen e Kamenit, raporte të medias thanë se zjarret atje po shuheshin nga vendasit.

Disa lagje të Splitit, si edhe qyteti aty pranë i Solinit dhe Kastelës, tashmë janë pa energji elektrike. Disa shtëpi në fshatrat dhe rrethinat pranë janë djegur tashmë.

Zjarrfikësit dhe ushtria, të ndihmuar nga avionë, u zotuan të punojnë gjithë natën për të mos lejuar që zjarri të përhapet më thellë në qytet.

Në Mal të Zi, situata më dramatike ishte në zonën e qytetit bregdetar të Tivatit dhe gadishullin Lustica, ku me qindra zjarrfikës dhe personel i ushtrisë do të jenë në krye të detyrës gjatë natës për të mos lejuar afrimin e zjarrit pranë shtëpive.

I nxitur nga erërat e forta dhe moti i thatë, i cili pritet të intensifikohet, zjarri në gadishullin Lustica pranë qytetit të Herceg Novit u përhap më herët të hënën drejt shtëpive dhe zonave të kampingut.

“Situata në Lustica është katastrofike,” tha për gazetarët të hënën kryebashkiaku i Herceg Novi, Stevan Katiç.

Të hënën në mbrëmje, zjarrfikësit malazezë vazhduan të përpiqet të shuajnë me dhjetëra zjarre përgjatë bregdetit të Adriatikut që dolën jashtë kontrollit të dielën, me disa jzrre të mëdha që i detyruan njerëzit të evakuonin shtëpitë e tyre, njoftoi media.

Zjarre u raportuan gjithashtu pranë kryeqytetit, Podgoricë, dhe në qytetet qendrore në Cetinje dhe Niksiç, me erërat e forta që e bënin edhe më të vështirë frenimin e tyre.

Për shkak të kapaciteteve të limituara për të luftuar kaq shumë zjarre në vend, autoritetet në Podgoricë kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare nga Qendra e Emergjencës e Komisionit Europian në Bruksel.

Ministri i brendshëm i vendit, Melvludin Nuhodziç, tha se forcat e para ndërkombëtare priteshin të mbërrinin të hënën në mbrëmje vonë.

Më herët të hënën, të paktën 100 turistë u detyruan të evakuoheshin nga Lustica për shkak të kërcënimit të zjarreve të mëdha.