Vuçiq Tregon Çka Bisedoi me Trump dhe Ftesën për Vizitë Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se Donald Trump do ta vizitojë Serbinë në vitin 2018 pasi që tha se ftesën për vizitë Presidenti amerikan e ka vlerësuar si “ide të mirë”.

Vuçiq tha se Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump e ka pranuar ftesën e tij që ta vizitojë Beogradin gjatë një takimi që kanë pasur në Nju Jork të mërkurën.

“Nëse do të vijë dhe kur do të vijë- jam i sigurt se do të vijë, por kur, kjo varet nga agjenda e tij dhë gjëra tjera”, tha Vuçiq për mediat serbe.

Vuçiq ishte pjesëmarrës në një pritje nga Presidenti Trump të mërkurën që ai dhe gruaja e tij Melania organizuan për liderët botërore të mbledhur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti serb u mburr se i shtrëngoi duart me Trump “katër herë” dhe tha se vizita e Presidentit amerikan në Serbi mund të ndodhë me gjasë në vitin 2018.

“Kur ia dhash ftesën… fola rreth ndjenjave që qytetarët e Serbisë kanë për të, si ata e mirëpresin, si dhe për faktin se kjo vizitë do të tregonte se sa shumë serbët e duan miqësinë me të”, tha Vuçiq.

Ai tha se Trump i kishte thënë Vuçiqit se “po duket si lojtar i NBA” dhe e pyeti nëse ndonjëherë kishte luajtur basketboll, pyetje në të cilën Vuçiq ishte përgjigjur se ishte “i shkurtë dhe i dobët” dhe se kishte provuar të luante në të kaluarën “por pa sukses”.

“Kalova pak më shumë kohë me të se që kaluan mysafirët tjerë falë bisedës që filluam, por ndoshta edhe për shkak se unë vi nga i njëjti rajon prej nga ven edhe gruaja e tij”, tha Vuçiq duke iu referuar Sllovenisë, shtetit prej nga vjen Melania Trump.