Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli pret homologun maqedonas, Bujar Osmani - Foto: Facebook

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Vizitë Pune në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Bujar Osmani, ka nisur një vizitë njëditore pune në Kosovë.

Siç raporton Rtv21, ai ka paraparë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Takimet me zyrtarët e Kosovës Osmani i ka nisur me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Siç ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”, Osmani me Pacollin kanë konstatuar numër të madh të interesave të përbashkëta të dy vendeve, “mes të cilave sigurisht që në vend të parë është përkushtimi ynë drejt aspiratave tona europiane dhe euratlantike”.

Ndërsa, në takimet e tjera do të hapen çështjet për bashkëpunim të ndërsjellë mes Maqedonisë dhe Kosovës, iniciativat rajonale për bashkëpunim, si dhe perspektivat europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Siç raporton Rtv21, perspektivat europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025 do të jenë edhe tema e adresimit të zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani para studentëve të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë.

Nikoqir i Osmanit do të jetë zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, me të cilin është paraparë edhe konferencë e përbashkët për shtyp.