Shkup: Foto: KALLXO.com

Pritjet e qytetarëve nga presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut

Qytetarë të Maqedonisë së Veriut të cilët janë takuar në qendrat e votimit të mërkurën, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se cilido prej shtatë kandidatëve që zgjidhet president, presin që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit integrues, në luftimin e korrupsionit dhe të ndalë hovin e largimit të të rinjve nga vendi.

Teksa votuan për të zgjedhur presidentin e ri të Maqedonisë së Veriut, ata kërkuan po ashtu rritjen e cilësisë në arsim, në mënyrë që gjeneratat e reja me dijen e tyre të kontribuojnë për zhvillimin e vendit.

Velika Minovska, pensioniste nga komuna e Çairit në Shkup, e cila votoi bashkë me bashkëshortin e saj, tha për Radion Evropa e Lirë se me rëndësi të veçantë për të është që shteti të ecë para dhe të krijohen kushte për një jetë me dinjitet edhe për më të moshuarit.

“Po, votova me shpresë se do të bëhet më mirë, atë presim se do të vijnë ditë më të mira. Shpresojmë që vendi të ecë para dhe të ketë perspektivë për qytetarët. Një jetë me dinjitet edhe për ne më të moshuarit”, tha Velika Minovska.

Edhe Sunaj Iljazi rreth të 30-tave tha se nga zgjedhjet presidenciale pret që Maqedonia e Veriut t’i përshpejtojë hapat drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke mundësuar një standard më të mirë për gjenerata e reja.

“Të ketë më shumë punësime për të rinjtë. Të jemi një shtet që i ka institucionet me rregull, të besueshme”, tha ai.

Edhe Behar Memishi pohoi se nga presidenti i shtetit pret që me autoritetin e tij të ndikojë në zhbllokimin e procesit të integrimeve për Maqedoninë e Veriut:

“Presim të zhbllokohet procesi (i integrimeve), këtë kërkesë kemi nga ai (presidenti i ri i shtetit)”.

Ndërkaq, Zllatko Ardirovski tha se nga presidenti i ri pret që të ndikojë në shtytjen para sa i përket luftës kundër korrupsionit.

“Pres që (presidenti i ri) të bëjë më shumë në zgjidhjen e problemit me korrupsionin në nivele të larta, të insistojë në krijimin e kushteve që të rinjtë të mbeten në Maqedoni (të Veriut) përmes ngritjes së cilësisë së arsimit. Kjo është ajo që pres nga presidenti i shtetit, i cili do të zgjidhet”, theksoi Zllatko Argirovski nga komuna Qendër e Shkupit./REL