Thaçi: ShBA Nuk e Vë në Dyshim Procesin e Transformimit të FSK-së

Në një konferencë për media, presidenti Hashim Thaçi ka folur për Projektligjin për FSK-në, i cili këtë Forcë e bën ushtri. Ai tha se bazuar në kompetencat e tij kushtetuese ia ka dorëzuar kryeparlamentarit Veseli këtë Projektligj.

Ndryshimi i misionit dhe detyrat e reja, sipas presidentit, që janë në përputhje me Ligjin, e bëjnë FSK-në ushtri moderne, multietnike e profesionale, e gatshme për të mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës.

Ai shprehu bindjen se Qeveria, kryeministri Mustafa, do ta trajtojë draftligjin me prioritet të lartë dhe shumë shpejt do ta japë zyrtarisht mendimin pozitiv.

“Në këtë periudhë gjithë spektri politik, shoqëria civile e qytetarët duhet të jemi të bashkuar për të përmbyllur këtë proces që varet nga vullneti i institucioneve tona”, theksoi Thaçi, duke shtuar se siç edhe ka pritur, ky Projektligj ka unifikuar spektrin politik.

Presidenti Thaçi theksi se Kosova nuk po bën asnjë veprim të njëanshëm, të pakoordinuar a antiligjor.

Këtë veprim, tha presidenti, as nuk e ka kontestuar e as nuk mund ta kontestojë as NATO e SHBA. “Këtë akt e ka kundërshtuar e vazhdon ta kundërshtojë vetëm Serbia”, shtoi ai.

Më tutje, presidenti Thaçi tha se NATO dhe askush nuk duhet ta shohë avancimin e rolit të FSK-së si kërcënim. “I vetmi kërcënim për paqe në rajon është ndikimi i Rusisë në rajon, bazat ushtarake e aeroplanët e saj në Serbi. Pres nga NATO që të jetë e vetëdijshme për këto rreziqe konkrete e mos të shqetësohet për avancimin e rolit të FSK-së”, tha ai.

“Në bisedën sot me sekretarin e NATO-s, shqetësimi ka qenë që Kosova po bën veprime të njëanshme, por kjo nuk qëndron. Nëse dikush mendon që për diçka të tillë duhet të koordinohemi me Serbinë, diçka e tillë ka përfunduar”, tha presidenti.

“Nëse sekretari i NATO-s e konsideron iniciativën tonë të njëanshme, unë e konsideroj këtë të papranueshme, ngase fati ynë nuk mund të mbetet peng i disponimit të Serbisë”, tha po ashtu presidenti, duke treguar se duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për reagime të tilla si president i Kosovës dje ka zhvilluar bisedë me kryeministrin e Serbisë për t’i kumtuar vendimin e tij dhe për t’ia bërë të qartë që kjo nuk paraqet rrezik as për Serbinë e asnjë vend në botë.

Presidenti Hashim Thaçi theksoi se i ka dëgjuar me vëmendje qëndrimet e këshillat e SHBA-së në takimin me ambasadorin amerikan sot. “Përkundër shqetësimeve të bëra publike, SHBA nuk e vë në asnjë rrethanë në dyshim këtë proces. Ata e mbështesin këtë proces, por duan që kjo të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese”, theksoi ai.

Më tutje presidenti foli për qëndrimin e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Ai tha se të gjithë ne të përfshirë në këtë proces kemi dështuar t’i bindim që ta votojnë ndryshimin kushtetues për transformim. “Ka qenë e pamundur të presim pafundësisht”, shtoi ai.

“Nëse NATO a SHBA kanë mundur t’i bindin ata, ne do të ishim tepër të lumtur ta bënim këtë transformim përmes ndryshimeve kushtetuese. Por, askush deri më sot nuk ka mundur të garantojë një votë të serbëve për ndryshimet kushtetuese”, theksoi presidenti duke shtuar se NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë duhet ta ndihmojnë Kosovën në transformim e kurrsesi ta ndëshkojnë atë.

Pasi Qeveria ta procedojë u takon deputetëve të votojnë për transformimin. “Unë si president jam i bindur që deputetët e Kosovës nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri”, shtoi ai.

I pyetur nga gazetarët se a ka kërkuar nga Aleksandar Vuçiq që të bisedojë me deputetët serbë të Kuvendit të Kosovës dhe t’u kërkojë të kthehen për të votuar ndryshimet kushtetuese, presidenti Thaçi tha se përgjigjja nga kryeministri serb ka qenë zhgënjyese.

“Unë kam besim të plotë që procesi do të merret me qetësi e me relaks. E di që procesi do të përmbyllet në koordinim 100% me partnerët tanë ndërkombëtarë. Nuk ka kundërshti nga ndërkombëtarët për transformim, ka vetëm kërkim të rrugës për transformim kushtetues”, tha Thaçi.