Ministrja për Dialog, Edita Tahiri - Foto: Facebook

Të Pagjeturit, ‘Arsyetohet’ Edita Tahiri

Ministrja për Dialog ka “korrigjuar” deklaratën e saj të dhënë të hënën, kur ka thënë se nuk ia kanë dorëzuar BE-së listën me emrat e personave të pagjetur. “E kam pasë fjalën për listën me vendndodhjen e të pagjeturve”, ka thënë ajo.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, i ka ndërruar fjalët në lidhje me personat e pagjetur kur është takuar me familjarët e tyre.

NDËRLIDHUR

Gjatë ditës ajo është takuar me Komisionin qeveritar për Personat e Pagjetur dhe me familjarët e të zhdukurve, para të cilëve ka thënë që Kosova e ka paraqitur listën e personave të zhdukur në bisedimet e Brukselit.

“Në këto bisedime, delegacioni i Kosovës kishte paraqitur faktet dhe kërkesat për zbardhjen e fatit të rreth 1,800 personave të pagjetur si dhe ia ka dorëzuar BE-së listën e personave të pagjetur”, ka thënë ministrja sipas një komunikate të Qeverisë.

“Ajo shpjegoi më tej se arsyeja pse dialogu në këtë temë nuk vazhdoi ishte sepse Serbia nuk u tregua e gatshme që të paraqes listën për vendndodhjen e këtyre personave të zhdukur”, thuhet më tej në komunikatë.

Mirëpo, krejt të kundërtën e kishte thënë ajo të hënën, kur kishte raportuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Tahirit, BE-ja kishte kërkuar që të përgatiten listat e të pagjeturve, mirëpo as Kosova e as Serbia nuk kishte arritur t’i formojë ato.

“Kemi biseduar një raund të bisedimeve, na është thënë nga BE herën tjetër duhet t’i keni me veti të gjithë listën e të pagjeturve në shtetet e juaja dhe kur e keni listën vazhdojmë raundin tjetër. Këtë listë asnjë palë nuk arriti ta formojë”, kishte thënë ministrja për Dialog të hënën.

Mirëpo, në komunikatën e Qeverisë ajo është arsyetuar për deklaratën e së hënës.

“Ajo po ashtu bëri shpjegimet për keqkuptimet që ndodhën në debatin e Komisionit parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, duke thënë se BE-ja kërkoi nga shtetet listat e vendndodhjes së të zhdukurve, sepse listat e emrave të 1,860 personave të zhdukur ne ia kishim paraqitur BE-së”, thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit, ministrja Tahiri thuhet se u ka premtuar një angazhim më të madh në zbardhjen plotë të fatit të të pagjeturve.

KALLXO.com ka intervistuar drejtorin ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, i cili pati thënë se Kosova i ka listat e të pagjeturve që nga vitit 2001.

Bekim Blakaj: Listat e Personave të Zhdukur Ekzistojnë

13 Tetor 2016 - 20:09

Taulant Osmani 13/10/2016 - 20:09
NDËRVEPRIMI12

Të Pagjeturit, ‘Arsyetohet’ Edita Tahiri

by Taulant Osmani
NA NDIQNI