Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq: Do ta mbajmë premtimin për të mos lëshuar më targa

Presidenti i Serbisë, pas kthimit nga Brukseli, ku për orë të tëra ka zhvilluar bisedime me kryeministrin e Kosovës, të ndërmjetësuara nga BE, në një deklarim drejtuar popullit serb ka thënë se më vonë do të takohet me Daçiqin dhe Mojsilloviqin, si dhe me serbë të Kosovës.

Ai tha se do t’i lutë serbët të ruajnë qetësinë dhe të protestohet në mënyrë paqësore.

“Duhet të jemi të brengosur por nuk ka hapësirë që të frikësohemi” – tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se autoritetet serbe do të mbajnë premtimin për të mos lëshuar më targa, çfarë, sipas tij ka kërkuar edhe Borrell.

“Ne do ta mbajmë fjalën që nuk do të lëshojmë më targa sikurse që edhe ka kërkuar Borrell, por çfarë të bëjmë që kemi të bëjmë me njerëz të papërgjegjshëm. E di që përfaqësuesit serbë do të jenë të revoltuar dhe do të thonë që ju është bërë mjaft me të gjitha dhe janë të gatshëm të japin jetën, por do t’ua bëj me dije që jeta e tyre është e rëndësishme dhe do të lus përfaqësuesit e BE dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë që të bëjnë maksimumin që të ushtrojnë ndikimin e tyre ndaj Kosovës që çdoherë e kanë pasur që të ruhet paqja” – theksoi ai.