Viola von Cramon

Von Cramon u bën thirrje Kurtit dhe Vuçiqit të kthehen në tryezën e negociatave

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas dështimit për t’u arritur një marrëveshje sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer që nuk është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të hënën në Bruksel.

Von Cramon i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të kthehen në tryezën e negociatave.

“Arritja e një kompromisi kërkon vullnet politik dhe udhëheqësi të guximshme për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Prandaj i bëj thirrje të dyve Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit të kthehen në tryezën e negociatave, pasi nuk ka alternativë ndaj dialogut të udhëhequr nga BE-ja të ndihmuar nga Miroslav Lajçaku”- ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Më tej, eurodeputetja thotë se shumë gjëra janë në rrezik përfishirë sipas saj edhe integrimi i arritur në veri të Kosovës si dhe siç tha ajo, “gjëja e fundit që duhet është një përshkallëzim në oborrin tonë të brendshëm.

“Më vjen thellësisht keq që nuk kishte interesim të vërtetë për të arritur një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës nën ndërmjetësimin e BE-së. Shumë gjëra janë në rrezik, përfshirë edhe integrimi i arritur tashmë në veri të Kosovës. Në kohë të luftërave, gjëja e fundit që duhet është një përshkallëzim në oborrin tonë të brendshëm”- është shprehur Von Cramon.

Sot, pas më shumë se pesë orësh takim, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje në Bruksel.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, tha sot se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe është pranuar nga presidenti serb, Akesandar Vuçiq.

Borrell tutje tha se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së për mosrespektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.