Foto: Facebook

'Stupcat' dhe UNDP me Video Kundër Korrupsionit

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe grupi humoristik ‘Stupcat’ vazhdojnë bashkëpunimin disavjeçar në fushën e luftimit të korrupsionit.

Dy video të reja që për temë kanë korrupsionin do të promovohen nesër në Prishtinë.

Ideja e bashkëpunimit me Stupcat, për të krijuar video të shkurta mbi korrupsionin në shoqërinë tonë, ishte e thjeshtë: mesazhi nëpërmjet humorit kuptohet më lehtë kur Stupcat përfshihen, edhe kur flitet për tema serioze, të qeshurat nuk mungojnë, thuhet në njoftimin e UNDP-së.

Lidhur me lansimin e videove u shprehën edhe zyrtarë të UNDP-së.

“Korrupsioni nuk është çështje që duhet të banalizohet me humor, mirëpo është humori që na ndihmon të kuptojmë se në sa situata banale ne gjendemi për çdo ditë – kur flitet për korrupsion. Fakti që korrupsioni ka kapluar gati çdo pjesë të jetës së qytetarëve, vërtetohet nëpërmjet sondazheve të ndryshme që i realizojmë. Mirëpo, një lajm i mirë është se edhe qytetarët po vetëdijsesohen dhe po reagojnë kundër korrupsionit”, tha Shqipe Neziri-Vela, menaxhere e projektit Anti-Korrupsion të UNDP-së (SAEK).

“Me grupin Stupcat kemi bashkëpunuar edhe më herët dhe gjithnjë jemi ndarë të kënaqur me dedikimin dhe vullnetin e tyre në projekte të tilla. Stupcat i falënderoj dhe shpresoj se do të bashkëpunojmë, të qeshim, dhe me punën tone të bëjmë dallim për të mire edhe në të ardhmen”, thotë Petrit Skenderaj, këshilltar anti-korrupsion në projektin SAEK.

Videot janë rezultat i bashkëpunimit në mes të Projektit Anti-Korrupsion të UNDP-së dhe Stupcave. Projekti Anti-Korrupsion i UNDP-së mbështetet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA).