Blerand Stavileci - Foto: KALLXO.com

Stavileci e Quan Vetëvendosjen ‘Parti Klanesh Terroriste’

Zyrtari i PDK-së, Blerand Stavileci, ka lexuar një deklaratë në emër të partisë së tij, pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila e nxori si të pabazuar kërkesën e PDK-së për rinumërim votave në Prishtinë e Prizren.

Stavileci tha se ky vendim u mor edhe pse sipas argumenteve të tyre shihet qartë manipulimi me vota i bërë nga, siç e quajti ai, “klani i hajnave terroristë të partisë Vetëvendosje”.

“Gjykata supreme mbase e ndikuar edhe nga presioni publik që kjo parti klanesh terroriste ka bërë mbi anëtarët e saj – e anuloi rinumërimin e votave”, theksoi Stavileci në një konferencë për media.

Blerand Stavileci tha se ka mjaftueshëm dyshime se drejtësia është e terrorizuar dhe e frikësuar nga terroristët e partisë Vetëvendosje. “Sepse kjo parti shpif, linçon, frikëson, shantazhon e terrorizon çdo gjë që i del përpara”, shtoi ai.

“Të gjithë jemi dëshmitarë se si kanë nxjerrë fotografi të zyrtarëve të shtetit, të organeve të drejtësisë dhe sigurisë, gazetarëve, duke i shpallur kriminelë, duke i çnjerëzuar dhe duke i rrezikuar edhe me jetë. Kështu, VV u ka futur në palcë frikën të gjithë atyre që nuk u rreshtohen nga pas”, theksoi Stavileci.

Ai akuzoi zyrtarë të VV-së për përfshirje në korrupsion, terrorizëm dhe lidhje mafioze.

“U vërtetua se anëtarë të kësaj organizate janë terroristë që sulmojnë institucionet e Kosovës me të gjitha mjetet e mundshme. Të rikujtojmë se organizata “Syri i Popullit” me listë për likuidimin e 20 vetave, përfshirë politikanë, gazetarë e të tjerë, na doli të jetë themeluar nga zyrtarë të VV-së”, theksoi ai.

Stavileci tha se anëtari i VV-së Sadri Ramabaja u kap duke provuar të ikte ilegalisht përmes Shqipërisë pas ftesës së Prokurorisë Speciale si njëri nga themeluesit e këtij grupi terrorist.

Pra, po dëshmohet me fakte se VV se jo vetëm që bën shpifje, linçime, propaganda, terrorizime dhe sulme, por ka edhe lista për likuidim.

“Ata po arrestohen e po lirohen sepse gjykatësit po ndihen të frikësuar nga këta kërcënues”, potencoi Stavileci, duke hedhur dyshime se edhe vendimi i Gjykatës Supreme u mor në bazë të këtyre veprimeve të Vetëvendosjes.

“Ne nuk do të ndalemi me kaq. Do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese për ta vërtetuar vullnetin e mirëfilltë të qytetarëve’”, ka thënë Stavileci.