Konferenca e SBASHK-ut | Foto: KALLXO.com

SBASHK : Mësimi Tërëditor , Eksperiment i Dëmshëm

Sindikata e Bashkuar për Arsim ka reaguar ndaj idesë së ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi që mësimi tërëditor të aplikohet në shumicën e shkollave me kushte të nevojshme në Kosovës.

SBASHK ka deklaruar se ideja e Bytyqit është një ‘eksperiment i radhës’, që po bëhet pa menduar se nuk ka kapacitete të mësimdhënësve për të qëndruar në mësim tërëditor.

Sipas SBASHK-ut, mësimdhënësit e kontraktuar kanë normat e tyre të plota 20 orë mësimore me nxënës dhe 20 orë të tjera  për përgatitje për procesin mësimor dhe për komunikim me nxënës e me prindër  dhe prandaj ata nuk mund të obligohen që të punojnë mbi këtë normë të përcaktuar me ligj dhe me Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës.

Sindikata konsideron se shembujt e vendeve perëndimore nuk praktikojnë mësimin tërëditor për ngritje të cilësisë në arsim dhe nëse e bëjnë mësimdhënësit punojnë në dy ndërrime.

“Një praktikë e tillë në vendet  e Europës nuk është obligative për të gjithë nxënësit, por organizohet, jo për ngritjen e cilësisë, siç thotë Ministri, por për t’i angazhuar nxënësit në aktivitete që ata preferojnë, apo për të bërë më të lehtë socializmin e nxënësve, që janë fëmijë emigrantësh”, thuhet në komunikatë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ditë më parë bëri prezantimin e gjendjes ekzistuese të hapësirave shkollore në tërë vendin, si dhe të hapësirave të nevojshme për realizimin e mësimit tërëditor.

Ai tha se mësimi tërëditor është qëllimi i planit të qeverisjes së tij për këtë mandat.