Vërshimet në fshatrat e komunës së Vushtrrisë (5 mars 2018), Foto: Komuna e Vushtrrisë

Rrugët në Pestovë e Prelluzhë të Pakalueshme nga Vërshimet

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, bashkë me nënkryetarin Besim Muzaqi dhe drejtorin Bajrush Kosumi kanë përcjellur në terren punët e komunës për sanim të gjendjes pas vërshimeve të ditëve të fundit.

Ekipet e emergjencës kanë dërguar gjëra ushqimore, batanije dhe barna për familjet, shtëpitë e të cilëve janë vërshuar nga uji.

Disa nga rrugët brenda territorit të komunës, në segmente të caktuara janë bërë të pakalueshme.

“Aktualisht akset rrugore të pakalueshme janë ai në fshatin Pestovë dhe Prelluzhë, ndërsa pjesërisht vështirësi ka në rrugën regjionale R220 në së paku tre lokacione, lokacioni te Ura e Silnicës dhe në fshatin Gllavotin”, thuhet në njoftimin e komunës së Vushtrrisë.

Komuna e Vushtrrisë i ka ftuar qytetarët që të përdorin rrugët alternative në këto segmente deri në hapjen e plotë të tyre.