Ilustrim. Foto: BIRN

Qindra Policë Rrethojnë Gjykatën e Tiranës

Seanca për masat e sigurisë për të 23 të ndaluarit në Kukës natën mes të shtunës dhe të dielës po zhvillohet në Tiranë nën një atmosferë të tensionuar dhe nën masa të rrepta sigurie duke ngritur pikëpyetje për shkeljen e procedurave ligjore dhe të të drejtave të të ndaluarve.

Qindra oficerë policie bllokuan një zonë të gjerë përreth gjykatës së Tiranës të Mërkurën, duke krijuar vështirësi për banorët dhe të tjerët në aksesimin e shtëpive dhe zyrave, ndërsa brenda në gjykatë pritet të jepen vendimet për masat e sigurisë të 23 të ndaluarve për protestën e dhunshme të të shtunës së kaluar kundër taksës në rrugën e Kombit.

Policia ndaloi gazetarët të hynin në sallën e gjyqit ndërsa disa deputetë të opozitës u shtynë me punonjësit e policisë në përpjekje për të hyrë.

Policia rrethoi një zonë të gjerë nga ura e Drejtorisë së Policisë në Unazën e Tiranës deri te ura pranë zonës së njohur si “Vasil Shanto” duke bllokuar qarkullimin në të dyja krahët. Në anën tjetër të rrugës, një grup prej disa dhjetëra protestuesish kërkuan lirimin e protestuesve të arrestuar me thirrjet: “Arrestoni oligarkët, jo qytetarët”.

Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 11 prej të arrestuarve dhe masa më të lehta për 12 të tjerë, ndërkohë që vendimi për të transferuar të ndaluarit nga Kukësi në Tiranë dhe për të gjykuar masat e tyre të sigurisë në Gjykatën e Tiranës ngriti pikëpyetje për ligjshmërinë e procedurave të ndjekura nga policia dhe prokuroria.

Kodi i Procedurës Penale thotë se masa e sigurisë duhet të jepet në gjykatën e vendit ku është kryer ndalimi ose arrestimi, gjë që nuk ndodhi në rastin konkret.