Qeveria në Garë me Kohën për ta ‘Shpëtuar’ Trepçën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar që më së largu brenda 10 ditësh qeveria e tij do ta dërgojë në Kuvend një projektligj për Trepçën.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje parlamentare gjatë seancës së sotme të Kuvendit, Mustafa u shpreh se qeveria e ka shpëtuar këtë ndërmarrje nga likuidimi, përmes disa masave të ndërmarra vitin e kaluar.

“Ka qenë një vendim që Trepça të shkojë në likuidim, por ne kemi marrë atëherë masa të shpejta dhe e kemi shpëtuar nga likuidimi. Në qeveri kemi formuar një komision për hartimin e Projektligjit për Trepçën. Ligji do të arrijë në kuvend, do të jetë java e ardhshme a 10 ditëshi i ardhshëm që t’i arrijmë të gjitha afatet që ligji të aprovohet. Veç kësaj AKP ka nënshkruar kontratën për studimin e fizibilitetit për Trepçën”, tha Isa Mustafa.

Nëse ligji i ri për Trepçën nuk hyn në fuqi deri më 1 nëntor, atëherë kjo ndërmarrje do të shkojë në likuidim.