Rexhep Selimi

Prokuroria i Konsideron të Pavërteta Fjalët e Selimit për Lumezin

Prokuroria e Shtetit ka reaguar sot pas deklaratave të djeshme të Rexhep Selimit, duke bërë të ditur se është vërtetuar që kryeprokurori Lumezi e ka të kryer provimin e jurisprudencës.

“Duke respektuar funksionin të cilin e kryen deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rexhep Selimi, Prokurori i Shtetit rikujton se organet kompetente kushtetuese vendore (të mbikëqyrura nga EULEX-i) kanë nxjerrë vendim ligjor i cili vërteton se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumëzi,  e ka dhënë në mënyrë të rregullt provimin e jurisprudencës”, thuhet në reagim.

Më tutje prokuroria u bën thirrje deputetëve të përmbahen nga deklarimet e pavërteta.

“Këta përfaqësues do të duhej të promovojnë respektimin  e ligjit dhe vendimeve të organeve shtetërore dhe jo të japin deklarata paushalle, të pabazuara dhe qëllimisht tendencioze”, thuhet në komunikatë.

Këto fjalime prokuroria i konsideron ndërhyrje në kryerjen e punëve.

“Këto fjalime politike përbëjnë një praktikë negative të cilat dëmtojnë drejtuesit e institucioneve dhe zbatimin e ligjit nga institucionet e pavarura kushtetuese si dhe mund të konsiderohen ndërhyrje në kryerjen e funksioneve në mënyrë të pavarur dhe objektive, mbi parimet e ligjshmërisë dhe barazisë para ligjit”, vijon reagimi.

Në fund të reagimit thuhet se nuk do të mbështetet asnjë individ që shkel ligjin.

“Në fund sigurojmë se institucioni i Prokurorit të Shtetit, nuk do të mbështesë asnjë individ që ka shkelur apo do t’i shkelë ligjet e këtij vendi, por Prokurori i Shtetit punon dhe do të vazhdojë të punojë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjit, e jo sipas pritjes së personave të caktuar”, thuhet në komunikatë.