Betimi në Kuvend nga ish Qeveria Haradinaj | Foto: Atdhe Mulla

Programi Qeverisës- I Kompletuar apo Pa Substancë?

Programi i punës së qeverisë pritet të diskutohet në Kuvend në momentin kur Kryesia e Kuvendit do ta vendosë si pikë në rendin e ditës, por opozita e cilëson atë pa substancë dhe në kundërshtim me nevojën për zhvillim ekonomik.

Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje tha për RTV 21.TV se ky subjekt nuk do ta mbështesë programin e punës së Qeverisë Haradinaj.

“Ky program është pa substancë fare, më shumë i përngjan një liste të premtimeve, sesa një plani të mirëfilltë”, tha Sveçla.

Sipas Sveçlës, me këtë program nuk mund të zhvillohet vendi.

“Por edhe po të ishte një plan i qëlluar, i përgatitur mirë, duke parë përbërjen e qeverisë ne kuptojmë që shanset për zhvillim të Kosovës përmes këtij programi dhe përmes këtyre njerëzve janë zero”, tha Sveçla.

Edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj tha se qeveria e krijuar prioritet i ka ndarjet e interesave.

“Fatkeqësisht besoj që nga kompozimi poitik që është nuk mund të jetë prioritet zhvillimi ekonomik, është më shumë prioritet ndarja e interesave nga ky bashkëdyzim që është bërë pa ndonjë qartësim programor e as ideologjik”, tha Zemaj.

Por drejtori i Zyrës për Informim në kabinetin e Haradinajt Halil Matoshi programin qeverisës e konsideroi të kompletuar.

“Është bërë një plan i detajum tu i pa edhe kërkesat e të gjitha dikastereve, është kompletu dhe tash opozitës i mbetet ta lexojë”, tha Matoshi./21 Media