Konferenca e Policisë së Kosovës | Foto: KALLXO.com

Policia: Nuk po Hetojmë Ndonjë Subjekt Politik

Fatos Makolli, drejtor i Drejtorisë kundër Terrorizmit tha se gjashtë të arrestuarit e djeshëm për policinë janë vetëm persona që po hetohen për kryerjen e një veproje penale.

Drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit, Fatos Makolli, Time Code 14:44-15:06

“Faktikisht ju po u adresoheni si pjesëtarë të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, për ne si Polici e Kosovës  dhe si Drejtori e Terrorizmit janë gjashtë kryerës të veprës penale dhe në asnjë moment, as atëherë, as gjatë hetimeve, as sot, nuk u referohemi të ndonjë partie politike në Kosovë,” tha Makolli.

Ai shtoi se për Drejtorinë Kundër Terrorizmit janë të rëndësishme vetëm faktet.

“Ne jemi të prirë mbrapa fakteve, mbrapa personave që besojmë, ose kemi dëshmi të mjaftueshme, ose dyshim bazues që kanë kryer veprën penale dhe nuk lidhemi me asnjë subjekt politik në Kosovë, nuk është në përgjegjësinë tonë. Përgjegjësia jonë është me i identifiku kryerësit e veprës penale, me i mbledhë provat dhe faktet, me i prezantu ato para gjykatës dhe kjo është ajo çka bën Policia e Kosovës,” tha Makolli.

I pyetur se a do të bastiset selia e Lëvizjes Vetëvendosje për arsye se personat e arrestuar janë nga ky subjekt politik, Makolli tha se policia nuk zhvillon aksione e ndikuar nga analistët politikë.

“Policia nuk udhëhiqet nga hipotezat e krijuara qoftë nga analistë politikë, qoftë nga publicistë, apo njerëz të tjerë. Policia nuk është duke hetuar ndonjë subjekt politik, policia është duke I hetuar individët të cilët kanë qenë të përfshirë në kryerjen e veprave penale. Gjithashtu njësia reagon dhe vepron vetëm atëherë kur ekziston dyshimi i arsyeshëm se në një lokacion është kryer vepër penale,” tha Makolli.