Policia e Kosovës | Foto: Atdhe Mulla

Policia Kritikohet Rreth Kërkesave për Buxhet

Projektbuxheti për vitin e ardhshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme është rritur 7.5 për qind në raport me vitin e kaluar.

Megjithatë, kërkesat e Policisë së Kosovës për buxhet shtesë, sipas përfaqësuesve të saj janë aprovuar minimalisht nga Ministria e Financave.

Drejtori i Financave nga Policia e Kosovës, Hamdi Hyseni shfaqi pakënaqësi të mëdha sa i përket buxhetit të planifikuar për këtë institucion.

“Ne nuk jemi të kënaqur me ndarjen buxhetore e cila është bërë nga Ministria e Financave. Kemi shumë mungesë të mjeteve financiare sidomos për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve që po theksohet në nevojat për uniforma të policëve”, tha Hyseni.

Megjithatë, kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme Daut Haradinaj dha vërejtje për mënyrën e shpenzimit të buxhetit aktual që sipas tij ka ndikuar në ndarjen e këtij buxheti për vitin 2017.

“Ju i keni përmbi 200 kontrata që ushtrojnë detyrë të pagraduar, jepni paga pa meritë. Edhe në raportin e auditorit e keni një kamion vërejtje për mosrealizim të projekteve, për kontrata të shumta mbi vepër. Për uniforma e çizme, mjetet kanë qenë të ndara, nuk janë kry megjithatë”, tha Haradinaj.

Projektet e parealizuara të parapara me buxhetin e këtij viti, zëvendësministri i MPB-së, Valon Hoxha I arsyetoi me situatat emergjente që kanë dalë gjatë vitit.

“Ka pasur situata të reja dhe nevoja emergjente që kanë dalë gjatë këtij viti për të cilat ka qenë nevoja të barten mjetet nga kategoritë e tjera. Shpeshherë, gjithashtu ka vonesa në procedura të prokurimit deri në kalim të afatit që pastaj duhet të ritenderohen”, tha Hoxha.

Projektbuxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për vitin 2017 është planifikuar të jetë 114.5 milionë euro, ndërsa gjatë këtij viti ai ishte  106.5 milionë.

Mjetet e ndara për buxhetin e vitit 2017 parashikohet të fokusohen në shpenzime operative më shumë se në ato kapitale.

KALLXO.com shkroi të shtunën se policia planifikon të blejë autoblinda, topa uji e limuzina të blinduara në vlerën e 1 milionë eurove.

http://kallxo.com/mjetet-e-shtrenjta-te-policise/