Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Plagosja në Mitrovicë nga Predha Qorre

Pas plagosjes së një personi në Lagjen “Qendra 1” të Mitrovicës të enjten pasdite, për të cilën Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në këtë qytet fajësoi serbët në veri, policia tha për KALLXO.com se predhat mund të kenë ardhur si nga veriu, po ashtu edhe nga jugu.

Avni Zahiti, zëdhënësi i Policisë Rajonale në Mitrovicë konfirmoi për KALLXO.com se një person i lënduar nga një predhë është ankuar në polici dhe sipas tij policia rastin po e heton si shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Zëvendësdrejtori i policisë kosovare në veri Besim Hoti tha për KALLXO.com se rasti i plagosjes është regjistruar nga stacioni në jug, ndërsa ka ndodhur nga predha qorre.

Ai bëri të ditur se është vështirë të përcaktohen prej nga saktësisht kanë ardhur predhat, pasi mund të bëhet fjalë për të shtëna në ndonjë gazmend familjar në jug a në veri të qytetit.

KMDLNJ-ja në Mitrovicë në një reagim të saj rreth kësaj plagosjeje, për të shtënat akuzoi serbët nga Lagjja Kroi i Vitakut.

Sipas KMDLNJ-së, nga atje u qëlluan disa shtëpi dhe një njeri në Lagjen “Qendra 1” të Mitrovicës.