Konferenca e Misionit Vëzhgues të BE-së | Foto: KALLXO.com

Peterle: Mospjesëmarrja në Debate Njollos Procesin Zgjedhor

Në këtë deklaratë, Peterle thekson rolin thelbësor që ka media në nxitjen e debatit publik në alternativat e ndryshme politike.

“Përpjekjet e raportuara të partive politike të ndërhyjnë dhe imponojnë kushte në qasje te debatet zgjedhore, gjë që është në dëm të elektoratit, janë duke rezultuar në vështirësi për mediat në organizim të debateve të drejta dhe gjithëpërfshirëse në përputhje me ligjin”, thuhet në këtë deklaratë.

Nuk është shumë vonë të ndryshojmë këto trende negative, të cilat rrezikojnë njollosjen e gjithë procesit zgjedhor, thuhet në deklaratën e shefit të Misionit Vëzhgues të BE-së për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në Kosovë.

“Votuesit e Kosovës meritojnë më mirë. Është obligim i akterëve politikë të Kosovës të demonstrojnë se janë të gatshëm të përmbushin standardet demokratike evropiane. Kjo është çështje e përgjegjësisë kolektive. Udhëheqësit e partive politike të Kosovës duhet t’i përgjigjen kësaj sfide”, ka kërkuar ai.

Alojz Peterle me gjasë aludon në vendimin e kreut të PDK-së që përfaqësuesit e kësaj partie të mos marrin pjesë në #DebatPernime, të organizuar nga BIRN dhe Internews Kosova.

PDK e ka kushtëzuar pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj me hapësirë më të madhe kohore për të dhe partitë politike me të cilat ka lidhur koalicion, AAK-në dhe NISMA-n.

Një kërkesë të tillë, kryetari i KPM-së, Adnan Merovci, e ka quajtur të kundërligjshme.

http://kallxo.com/kpm-kerkesa-e-pdk-per-hapesire-te-madhe-e-kunderligjshme/

Për pesë ditë rresht, PDK nuk ka dërguar përfaqësues në #DebatPernime, të moderuar nga Jeta Xharra, që transmetohet në RadioTelevizonin 21, pasi që nuk u është plotësuar kërkesa që të kenë dyfish hapësirë më shumë se koalicioni LDK-AKR dhe trefish më shumë hapësirë se Vetëvendosje.

Në deklaratën e tij, shefi i Misionit Vëzhgues të BE-së, u ka bërë thirrje të gjitha palëve pjesëmarrëse të shfrytëzojnë mundësinë që në zgjedhjet e 11 qershorit të tregojnë pjekuri demokratike.

“Çdo frikësim i kandidatëve dhe familjeve të tyre është i papranueshëm. E drejta e të qenit kandidat dhe mundësia e të bërit fushatë në mënyrë të lirë janë parakushtet absolute të zgjedhjeve demokratike”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, Peterle u ka bërë thirrje policisë dhe prokurorëve që të hetojnë menjëherë dhe në mënyrë rigoroze të gjitha format e frikësimit, dhunës dhe presionit.

Sa ishte në Kosovë, Peterle ka njoftuar se misioni i tij do të ketë 100 vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit.

http://kallxo.com/100-vezhgues-monitoron-cerekun-e-vendvotimeve/