Konferenca e Misionit vëzhgues të BE-së - Foto: KALLXO.com

Peterle: Zgjedhjet e 22 Tetorit më të Mira se Ato të 2013-tës

Shefi i Misionit vëzhgues të BE-së, Alojz Peterle, vlerësoi sot se procesi i zgjedhjeve lokale të 22 tetorit ka kaluar shumë më mirë se ato më 2013 dhe se votimet e së dielës ishin shumë më transparente se ato të katër viteve më parë.

Në një konferencë ku janë prezantuar gjetjet preliminare të Misionit që drejton ai, Peterle tha se procesi zgjedhor kishte dallime të konsiderueshme në mes komunave me shumicë shqiptare dhe atyre me shumicë serbe.

Ai tha se vëzhguesit e Misionit të BE-së kanë vërejtur shumë raste të votimit familjar dhe votues që u është refuzuar votimi, në të shumtën e rasteve për shkak se nuk ishin në listën e votuesve dhe raste të votimit me asistencë.

Peterle ka përmendur edhe  punën e Komisionit Qendror Zgjedhor, i cili për herë të parë kërkoi vërtetim lidhur me të kaluarën penale të të gjithë kandidatëve që aplikuan.

“KQZ-ja ka bërë përmirësime në edukimin e votuesve, trajnimin e anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe thjeshtimin e formularëve të rezultateve”, theksoi shefi i Misionit vëzhgues të BE-së.

Ai foli edhe për dallimin e procesit zgjedhor në komunat me shumicë shqiptare dhe ato me shumicë serbe. Sipas Peterles, në komunat me shumicë shqiptare zgjedhjet ishin më konkurruese dhe mjedisi i fushatës ishte i qetë, duke lejuar kandidatët që lirshëm t’i komunikojnë mesazhet e tyre para votuesve.

“Ambienti i fushatës u dëmtua nga kërcënimet brenda komuniteteve me shumicë serbe të Kosovës, në veçanti ato që i vënë në shënjestër subjektet politike jashtë Listës Serbe dhe kandidatët e tyre. Kjo përfshinte presionin mbi kandidatët  individual për t’u tërhequr dhe për ta kufizuar konkurrencën politike’’, thuhet në deklaratën e Misionit vëzhgues.

Në këtë deklaratë u përmend edhe votimi jashtë Kosovës për të cilin thuhet se mungonin masat mbrojtëse kundër abuzimeve të mundshme.

‘Nuk ka masa të mjaftueshme mbrojtëse kundër keqtrajtimit në procesin e votimit jashtë Kosovës dhe ka mungesë të mjeteve juridike efektive për rastet e mospranimit të së drejtës për votim. Së paku 34 votues u hoqën nga lista e votuesve pasi që dikush kishte aplikuar për votim jashtë Kosovës në emër të tyre. Personat e privuar nga e drejta për votë e kuptuan këtë vetëm pasi afati i ankesës kishte kaluar dhe nuk kishin vend ligjor për korrigjim”, thuhet në deklaratë.