PDK e Shkel Marrëveshjen e Koalicionit me LDK-në

Partitë opozitare sot dorëzuan në Kuvend mocionin e votëbesimit të qeverisë, ndërsa shpresojnë që qeveria aktuale të bjerë.

Nisma e mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë nga partitë opozitarë është mbështetur edhe nga disa deputetë të PDK-së.

Shukri Buja, Nait Hasani, Raif Qela dhe Rafet Rama kanë votuar pro nismës për të rrëzuar qeverinë aktuale.

Mirëpo në dhjetor të 2014, kur PDK dhe LDK kishin nënshkruar marrëveshje  koalicioni, kishin hartuar edhe një dokument të përbërë prej 20 pikave, e që ishte nënshkruar në atë kohë nga Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së dhe Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.

Këto 2 parti ishin marrë vesh që deputetët e tyre të mos përkrahin nismat e mocioneve kundër qeverisë nga palët e tjera.

Pika 14 e marrëveshjes së PDK-së dhe LDK-së thotë se “PDK dhe LDK nuk do të përkrahin mocionet e mosbesimit të iniciuara nga palët e tjera në parlament”.

Mirëpo 4 prej deputetëve të PDK-së e tradhtuan LDK-në duke votuar pro mocionit nga Nisma për Kosovën.

KALLXO.com ua sjellë marrëveshjen e plotë të PDK-së dhe LDK-së.

http://kallxo.com/ja-marreveshja-e-plote-pdk-ldk-dokument/

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me 4 deputetët e PDK-së që kanë votuar pro, por kontakti me ta ka qenë i pamundur përveç me deputetin Raif Qela, i cili nuk pranoi të deklarohet për këtë çështje.

“Nuk dua të deklarohem, më vjen keq, çdo të mirë”, tha Qela për KALLXO.com

Ndërsa nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha për KALLXO.com se beson që lidershipi i PDK-së do t’i përmbahet marrëveshjes.

“Këta deputetë kanë qenë të zëshëm edhe me deklarata publike kundër koalicionit. Por ne besojmë që lidershipi i PDK-së do t’i përmbahet  marrëveshjes për mospërkrahjen e mocionit në Kuvend që është fakt që tashmë pritet me ndodhë”, tha Haziri për KALLXO.com

Një prej pikave tjera të marrëveshjes ka qenë edhe votimi i Thaçit për president, ku disa prej deputetëve të LDK-së nuk e kishin votuar atë.