Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian Miratoi MSA-në me Kosovën

Parlamenti Evropian i dha sot pëlqimin Marrëveshjes për Stabilizim- Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, si hapi i parë i rëndësishëm formal për integrimin e Kosovës në BE.

Me 486 vota në favor, 102 kundër dhe 81 abstenime, deputetët e parlamentit Evropian mbështetën propozimin për ta ratifikuar këtë marrëveshje nga ana e BE-së.

Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në fillim të nëntorit marrëveshjen e cila qe nënshkruar në fund të tetorit të vitit të kaluar.

“Ky është një lajm shumë i mirë dhe një hap tjetër i rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Për herë të parë, BE dhe Kosova do të hyjnë në marrëveshje kontraktuale”, tha raportuesja Ulrike Lunacek, nënkryetare e Parlamentit Evropian.

Miratimi i parlamentit i hap rrugën Këshillit të Ministrave të BE-së që formalisht ta përmbyllë këtë marrëveshje në mënyrë që ajo të hyjë në fuqi pas disa muajsh.

Të gjitha çështjet në këtë marrë veshje bijnë në sferën e kompetencave të BE-së dhe dokumenti nuk ka nevojë që të miratohet nga parlamentet e shteteve anëtare.

“Tani marrëveshja duhet të hyjë në fuqi pa ndonjë vonesë. Kjo do t’i japë një sinjal të fuqishëm pozitiv qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës. Implementimi i marrëveshjes do të ndihmojë në institucionalizimin e procesit të reformës. Ajo do të sjellë gjithashtu mundësi të reja për Kosovën që t’i forcojë marrëdhëniet me BE-në dhe të kontribuojë në stabilitetin e tërë rajonit”, u shpreh Lunacek.

Marrëveshja forcon dialogun politik, marrëdhëniet tregtare dhe rrit bashkëpunimin  ndërmjetBE-së dhe Kosovës në shumë sektorë.

Ministri për Integrime Evropiane në qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, përshëndeti miratimin e kësaj marrëveshjeje nga ana e PE-së

“Kjo marrëveshje… tani e ka dritën e gjelbër nga edhe nga Parlamenti Evropian, dhe mbetet vetëm që të hyj në fuqi së shpejti, pas vendimit për konkludim të Këshillit të BE”, tha ministri Çollaku.

Ai falënderoi eurodeputetët që votuan që Kosovës t’i sigurohet rruga drejt realizimit të ëndrrës evropiane.

“Kjo marrëveshje do të ndikojë si në përforcimin e procesit reformues, ashtu edhe në përshpejtim të realizimit të ëndrrës së anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkim Evropian”, tha ministri Bekim Çollaku.