Thaçi-Çollaku | Foto: Facebook

Këshilltari i Thaçit nuk e sheh si rastësi aktakuzën ndaj Presidentit në ditën e lindjes së tij

Këshilltari i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bekim Çollaku është deklaruar lidhur me aktakuzën  e Prokurorisë së Specializuar ndaj presidentit, për krime kundër nejrëzimit.

Sipas Çollakut, aktakuza është dorëzuar në Gjykatën Speciale si një “dhuratë për ditëlindjen” e presidentit, më 24 prill.

“Wow, çfarë rastësie e sofistikuar! Aktakuza është ngritur si një ‘dhuratë për ditëlindje’. Tingëllon pothuajse e pabesueshme”, ka shkruar ai në Twitter.

Të mërkurën e kësaj jave, Prokuroria e Specializuar  e bëri publike aktakuzën sekundër presidentit Hashim Thaçi dhe ish- kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur më 24 prill 2020, në ditën kur i pari i vendit po e festonte ditën e lindjes. Presidenti Thaçi u lind më 24 prill të vitit 1968.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veseli për krime kundër njerëzimit.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare, më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.