Foto nga: Karl Mathiesen

Banka Botërore Shkeli Rregullat e Veta në Hade

Ragip Grajçevci, një 51 vjeçar dhe ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, humbi një sy dhe një gisht gjatë luftës së vitit 1999. Sot, pas 17 viteve, ai ka humbur durimin me tymin e vazhdueshëm që nxjerr termocentrali i qymyrit më ndotës në Evropë.

“Kosova është e pavarur, lufta ka mbaruar, por luftrat e mia për një jetë dinjitoze në këtë shtet vazhdojnë sepse tash kemi një armik që po na vret ngadalë edhe në kohë të paqes,” thotë Grajçevci.

Grajçevci jeton në Hade, një fshat që ndodhet jashtë qytetit të Prishtinës. Vetëm një copë e atij fshati vazhdon të qëndrojë buzë minierës shtetërore të Sibovcit. Qymyri në atë minierë shpeshherë digjet vetëvetiu dhe shpërhap pluhur dhe tym përgjatë shtëpive e kopshteve. Sipas familjeve që ende banojnë aty, zhurma e gërmimeve të vazhdueshme u shkatërron nervat.

Si përfaqësues i këshillit të tij lokal, Grajçevci është i vendosur të mos u bashkëngjitet rreth një mijë fshatarëve që janë zhvendosur padrejtësisht kur qeveria e Kosovës i dha dritën e gjelbër një projekti të përkrahur nga Banka Botërore për ndërtimin e një termocentrali të ri të quajtur Kosova e Re, megjithë faktin se është bërë gjithnjë e më kontroversiale për Bankën Botërore të mbështesë termocentrale të reja qymyri.

Kosova e Re është i vetmi termocentral qymyri në botë të cilin kjo bankë konsideron ta përkrahë. Direktivat e Bankës Botërore detyrojnë që personave të zhvendosur duhet t’u sigurohen shtëpi të përshtatshme dhe mjete për jetesë nga kilentët e tyre, qofshin qeveri apo kompani private. Sipas Grajçevcit, asnjëra nga këto nuk ka ndodhur në rastin e Kosovës së Re.

Në qershor të vitit 2015, Grajçevci paraqiti një ankesë te Paneli Inspektues i bankës, IP, një trup që merret me individë apo komunitete që besojnë se janë ndikuar negativisht apo se ka gjasa të të ketë ndikim të tillë nga një projekt i financuar nga banka. Prej vitit 2011, Banka Botërore ka këshilluar gjashtë qeveri të ndryshme të Kosovës dhe ka qenë mbështetëse e vazhdueshme e sektorit të energjetik të Kosovës, 97% e të cilit varet nga qymyri.

Raporti i finializuar nga Paneli Inspektues i bankës në shtator dhe i parë nga Prishtina Insight dhe Climate Home shqyrtoi dy valë risistemimi të papërfunduara dhe të bëra shkel e shko në fshatin e Hades në vitet 2004-5 dhe 2012.

Më se një dekadë pas fillimit të shpronësimeve, komuniteti i copëtuar vazhdon të ndihet i pasigurtë dhe i frustruar, thotë raporti. Me gjithë faktin se Banka Botërore nuk ishte faktori parësor, paneli gjeti se dështimet nga ana e bankës rezultuan në “dëmtime të vërteta dhe shpeshherë të rënda” gjatë një “periudhe të zgjatur”.

Raporti është dërguar te bordi i Bankës Botërore i cili do të mblidhet për ta diskutuar atë në dhjetor. Marco Mantovanelli, menaxheri shtetëror i bankës për Kosovë, thotë se nuk mund të japë koment para publikimit të raportit për ta “ruajtur integritetin e proceseve të Panelit”.

Ragip Grajcevci duke u folur bashk/fshatarëve të tij | Foto: BIRN
Ragip Grajcevci duke u folur bashk/fshatarëve të tij | Foto: BIRN

Grajçevci nuk do që të presë më.

“Jam lodhur duke jetuar nën pluhur e zhurmë, duke i parë njerëzit përreth meje të vdesin nga kanceri dhe duke mos mundur të planifikojmë të ardhmen këtu për shkak të qymyrit që po nxirret pranë pragut të shtëpisë sonë”, thotë Grajçevci, i cili ka qenë dëshmitar i zhvendosjes së pavullnetshme e të çrregullt të familjeve nga fshati i tij gjatë dekadës së fundit.

Linjiti është lloji më ndotës i qymyrit, dhe sipas Aleancës së Shëndetit dhe Mjedisist dhe Asociacionit të Pulmonologëve të Kosovës, termocentralet ekzistuese në Kosovë i shkaktojnë rajonit mes 70 dhe 169 milionë euro në shpenzime shëndetësore çdo vit. Për shkak të përhapjes së madhe të ndotësve përmes ajrit, termocentralet e Kosovës i kushtojnë Evropës prëj 144 deri në 352 milionë euro në shpenzime shëndetësore. Termocentralet në Kosovë kryesisht operojnë me standarde të ulta mjedisore, duke lëshuar nivele të larta të materieve ndotëse që ndikojnë shumë në shëndet, duke shkaktuar kancer të mushkërive, sëmundje të lëkurës dhe probleme me frymëmarrje si bronkiti astmatik.

Foto: BIRN
Foto: BIRN

Shala [Hadja e Re], një fshat 10 kilometra nga miniera, ishte planifikuar të jetë vendi ku qeveria e Kosovës vendosi t’i rivendosë mijëra njerëz nga fshatrat afër termocentralit. Në atë vend ishte planifikuar ndërtimi i një shkolle, një klinikë mjekësore dhe një varrezë – por asnjëra nga këto nuk është bërë për shkak se projekti, i cili duhet të kishte përfunduar tani, filloi punimet në vitin 2013.

Sot, disa pjesë të Shalës duken si fusha boshe ku vetëm rruga kryesore është ndërtuar. Ky vend është riemërtuar “Hadja e Re” sepse do të duhet t’i strehojë banorët e “Hades së Vjetër”. Në një vizitë të kohëve të fundit, rrugicat e “Hades së Re” ishin të shtruara me zhavor dhe një përroskë me ujë kanalizimi rridhte pranë shtëpive.

Mungesa e infrasktrukturës është një nga arsyet se pse vetëm 22 familje janë zhvendosur këtu dhe gjysma e shtëpive duken të zbrazta.

“Banka Botërore dhe qeveria e Kosovës na kanë gënjyer vazhdimisht kur premtonin se do të na përmirësonin jetesën duke na zhvendosur nga fshati”, thotë Grajcevci. “Ne jemi varfëruar si rezultat i mungesës së kujdesit nga këto institucione që pretendojnë se po e bëjnë gjithë këtë ‘zhvillim ekonomik’ në emër të luftës kundër varfërisë”.

Gjatë njërës nga protestat kundër një trajtimi të tillë, Grajçevci takoi Dajana Berishën nga Forumi për Iniciativa Qytetare, një organizatë e cila punon për zhvillimin e komuniteteve lokale. Berisha u përfshi në çështjen e fshatarëve dhe ua fitoi besimin për ta shkruar dhe paraqitur një ankesë të Paneli Inspektues i Bankës Botërore.

Dajana Berisha nga FIQ takohet me banorët e Hades | Foto: Ridvan Slivova
Dajana Berisha nga FIQ takohet me banorët e Hades | Foto: Ridvan Slivova

Në ankesën që Berisha e shkroi në emër të komunitetit të Hades, shtroi argumentin se fshatarët kanë pësuar nga “humbja e tokës, dhe janë cenuar në mjete të jetesës dhe mirëqenies si pasojë e mospërputhjes së bankës me politikat e saj në asistimin teknik për përgatitjen e një kornize të dizajnuar për të na zhvendosur në mënyrë të pavullnetshme që t’i lëshojmë rrugë një termocentrali të financuar nga Banka”.

Paneli Inspektues u dërgoi një raport drejtorëve ekzekutivë të bankës më 14 shtator, 2016 duke i konfirmuar këto pretendime.

Paneli gjeti se menaxhmenti i bankës nuk ishte në pajtim me procedurat operacionale të risistemimit të pavullnetshëm, sepse “korniza e politikave te risistemimit nuk ka përfshirë parimet dhe metodat për vlerësimin e aseteve të njerëzve të prekur që jetojnë nën kufizimet e Zonës në Hapësirën e Re të Minierës”.

“Sukses i madh për ne!” tha Berisha pasi pranoi vendimin e Panelit Inspektues. “Vendimi i Panelit është fitore në shumë nivele. Kur takova këta fshatarë ata ishin shumë të mençur dhe kishin vullnet të shkonin shumë larg për të drejtat e tyre, por ata nuk kishin informata të mjaftueshme për të drejtat e tyre dhe ndiheshin të trembur nga arroganca e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës dhe të Bankës Botërore që i vizitonin herë pas here”.

“Tash, ky komunitet nuk mund të përçmohet dhe të injorohet nga askush, ky vendim vërteton se ata kishin të drejtë gjatë gjithë kohës – është një fitore morale që i jep komunitetit përparësi në debatin për ndërtimin e termocentralit të tretë të qymyrit që Banka Botërore po planifikon ta mbështësë gjatë vitit të ardshëm”, tha ajo.

Gjetja se risistemimi i vitit 2004 nuk u krye sugjeron fajësi posaçërisht për UNMIK-un dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Kabllograme diplomatike të publikuara nga Wikileaks kanë zbuluar mënyrën e pamëshirmshme se si janë parë fshatarët e zhvendosur prej atyre që ishin në krye të Kosovës gjatë tranzicionit në pavarësi.

UNMIK-u nuk iu përgjigj kërkesës për të dhënë koment. Departamenti i Shtetit të ShBA-ve ka thënë se nuk i komenton kabllogramet diplomatike të rrjedhura.

Foto: BIRN
Foto: BIRN

Pretendimet e komunitetit, po ashtu, po hetohen nga Avokati i Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, i cili po shqyrton shkeljet e të drejtave të njeriut dhe rreziqet mjedisore me të cilat po jetojnë qytetarët e Komunës së Obiliqit.

“Lirisht mund t’ia ndërrojmë emrin këtij vendi në ‘Çernobil të Ballkanit’ në vend të ‘Obiliq’,” thotë Jashari, duke qëndruar në një kurriz malor me njerëz nga Hadja dhe Shipitulla, një fshat tjetër i prekur, duke vështruar hapësirën e gjerë të minierave të Korporatës Energjetikë të Kosovës, KEK, e cila ka operuar termocentralet nga viti 1962.

“Këto kushte të jetesës janë [të krahasueshme me] standardet e shekullit të 19-të; të papranueshme për Evropën e shekullit të 21-të”, shtoi ai.

Kosovarët jetojnë mesatarisht 10 vjet më pak se qytetarët e Evropës Perëndimore. Për më shumë, sipas Bankës Botërore, më se 100 milionë euro shpenzohen çdo vit për trajtimin e sëmundjeve të frymëmarrjes, të cilat janë më të përhapura në pjesën qendrore të Kosovës dhe në Obiliq, ku tymi nga oxhaqet e termocentraleve janë pjesë e peizazhit dhe shpesh fshehin perëndimet e diellit në Prishtinë.

Ted Downing, një ekspert i fushës së zhvendosjeve, udhëheq Rrjetin Ndërkombëtar të Zhvendosjes dhe Risistemimit. Ai ka studiuar rastin e Hades dhe pretendon se Banka Botërore dhe qeveria e Kosovës po luajnë me njerëzit me qëllim përfitimet, duke u kërkuar t’i thithin shpenzimet e zhvillimit brenda jetës, mjeteve e jetesës, buxhetit dhe stresit socio-psikologjik”.

“Këtu po bëhet një lojë, një lojë e ligë dhe e tmerrshme me jetët e njerëzve ku shpenzimet e zhvendosjes [sipas standardeve ndërkombëtare për risistemim] po refuzohen dhe po shtypen dhe nëse nuk i paguajnë ato shpenzime, profitabiliteti i minierës rritet,” ka thënë Downing.

“Metodologjia që përdoret sot është e njëjta metodologji që përdorej gjatë kohës së socializmit”, shpjegoi Downing, “dallimi i vetëm është prania e Bankës Botërore si këshilluese dhe ndryshimi i ligjeve për t’ju përshtatur agjendës së tyre”.

Foto: BIRN
Foto: BIRN

Në shtator, KEK-u nisi një raund të ri të negociatave me qindra banorë tjerë të fshatit të cilët duhet të zhvendosen që të mundësojnë gërmimet e reja për nxjerrjen e qymyrit.

“Nëse nuk fillojmë punën në minierën e re nga fundi i gjashtë muajve të ardhshëm, do të na shpenzohen rezervat e qymyrit për termocentralet ekzistuese,” thotë Adil Jonuzi, kreu i sektorit të qymyrit në KEK.

“Më copëtohet zemra kur shoh këta dy bukuroshë të palëvizur dhe jashtë funksionit,” thotë inxhinieri, duke iu referuar eksavatorëve.

“U siguruam që këta ekskavatorë ta ndalin punën sepse u afruan 250 metra larg shtëpive të fshatarëve dhe ajo është kundër ligjit të minierave në Kosovë,” shpjegoi Avokati i Popullit gjatë inspektimit në Hade dhe Shipitullë për të parë se a i është përmbajtur KEK-u ndalimit të tij.

Jashari theksoi se KEK-u dhe qeveria mund t’i lënë fajin vetëm vetvetes sepse e ata e vonuan procesin e përvetësimit të pronave dhe zhvendosjes së fshatarëve, çka shkaktoi që shumë ndërtesa të ndërtoheshin ilegalisht. Jashari tha se zyra e tij po heton mundësinë që edhe kjo mund të jetë shpërdorim i detyrës.

“Shipitulla, një fshat që ndodhet në anën e kundërt të Hades, ka pasur një numër të ndërtimeve ilegale gjatë kohës kur banorëve të saj u kishte ardhur rendi për t’u zhvendosur dhe kompensuar. Sigurisht, ne po hetojmë nëse autoritetet lokale dhe shtetërore, bashkë me KEK-un, e kanë vonuar procesin e zhvendosjes në këtë fshat në mënyrë që të kenë lejuar pasurimin e dikujt nga kompensimet financiare për këto ndërtesa pas zhvendosjes së banorëve,” tha Jashari.

Vrojtimi tjetër i raportit të IP-së thekson të metat e infrastrukturës së Shalës, një fshat jashtë zonës së minierës ku fshatarët e zhvendosur është dashur të sistemoheshin.

“Paneli po ashtu përmend si mangësi të Shala RAP [planit veprues për risistemim] moskushtimin e vëmendjes ndaj strategjive për mjete të jetesës për familjet e prekura, duke përfshirë më të varfrit dhe më të prekshmit, veçanërisht kur RAP-ja do të duhej të ishte model për risistemimet e ardhshme nga Fusha e Re Minerare,” thotë raporti

Haqif Shala, një përfaqësues i fshatit të Shalës i cili është zhvendosur aty në nëntor të vitit 2014 nga strehimi i përkohshëm pas evakuimit nga Hadja në 2012, tha se pjesa e mbetur e banorëve të Obiliqit që duhet të zhvendosen në këtë vendbanim të ri nuk duhet ta pranojnë një gjë të tillë.

Ragip Grajcevci gjatë një takimi me bashkëfshatarët | Foto: BIRN
Ragip Grajcevci gjatë një takimi me bashkëfshatarët | Foto: BIRN

“Infrastruktura që premtuan ta përfundojnë Ministria e Planifikimit Hapësinor me mbështetjen e Bankës Botërore nuk është gati – nuk kemi rrymë, dhe rrugët e kanalizimi nuk janë përfunduar,” tha ai duke na treguar vendin ku një rrëke kanalizimi rridhte përmes zhavorit afër shtëpive.

“Unë mund të mbaja lopë në shtëpinë time të vjetër [në Hade], kisha një kopsht. Këtu nuk është e lejuar,” thotë Shala. “Nuk mund të mbajmë as pula”.

Qeveria i ka shpërfillur këto ankesa. Arben Çitaku, sekretar i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, tha gjatë një seance dëgjimore të kuvendit se “ministria ka zgjidhur problemin e vendit të ri dhe ka definuar hapat ku duhet punuar më tutje… ne besojmë se statusi i njëjtë ekonomik i fshatarëve që janë zhvendosur [në Hade të Re] është ruajtur, edhe pse mund të mos e kemi përmirësuar atë status”.

Kërkesat ndaj qeverisë për të komentuar ndaj raportit të Panelit të Inspektimit janë injoruar.

Robert Doherty, zëdhënës i Panelit, ka thënë se nuk mund të japë koment për përmbajtjen e raportit të rrjedhur

“Mbetet konfidenciale derisa Bordi ta ketë mundësinë ta shqyrtojë atë formalisht,” thotë ai.

Zhvendosjet e paligjshme kanë krijuar ndasi në komunitetin e Obiliqit. Grajçevci është i vendosur që epoka kur autoritetet dhe Banka Botërore mund t’ua marrin tokën ka përfunduar. Ai thotë se cilësia e jetës ka rënë, shkollat janë zbrazur dhe ushqimet bazike si buka nuk janë më në dispozicion. Ai u bëri thirrje fqinjëve të tij t’ rezistojnë zhvendosjes.

“Tash, ne kemi mësuar se nëse nuk bashkohemi si komunitet, ne do të shkelemi, do të mashtrohemi dhe do të varfërohemi; si rezultat ne nuk do t’i lejojmë të na përçajnë dhe të na sundojnë, mjaft kemi duruar!”