Drama e Vjedhjes së Organizuar Tatimore

Quajeni qysh të doni: whistleblower, fishkëllues, sinjalizues, informator, alarmues, sinjalizues…

Unë do ta quaj KALLXUES, sepse i tillë është.

Në kohën kur bota shpenzon para në fushata, konferenca, simpoziume, trajnime se si të mbrohen ata, një person i thjeshtë si Murat Mehmeti tregon që luftimit të krimit e korrupsionit i duhen pak gjëra: vullneti dhe përkushtimi.

Më thjeshtë s’ka se si bëhet.

Por për të qenë i tillë, në një vend në të cilin korrupsioni është kultivuar sikur ta hedhësh një farë kungulli midis plehu, duhet të jesh i çuditshëm. Ose, të paktën, të tjerëve t’u dukesh i tillë.

Murat Mehmeti është ekonomist nga Vushtrria. Për 10 vjet ka punuar në Polici të Kosovës, e pastaj ka kaluar të punojë si Inspektor Hetues Tatimor në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Formimi i njësisë hetuese në ATK kishte qenë kusht i vendosur nga ndërkombëtarët ndërsa Mehmeti ka qenë ndër katër hetuesit e parë që është pranuar në këtë njësit. Pas pesë muajsh, ai ishte avancuar në pozitën e udhëheqësit të ekipit të hetimeve, në përndjekjen e dyshimeve për vjedhje tatimore.

Arsyeja pse e quaj të çuditshëm Murat Mehmetin është se përpos që i ka hetuar krimet tatimore, ka vendosur edhe ta ngritë zërin kur forcat e errëta të politikës dhe nëntokës kosovare nuk e kanë lënë të punojë.

Në KALLXO.com kemi shumë raportime të rasteve të korrupsionit nga qytetarët. Shumicën nga to i hulumtojmë. Ka të tjera që mbesin në tentativë, për shkak se disa raste të korrupsionit janë të tilla që nuk mund të denoncohen publikisht nëse dikush nuk merr guximin që të flasë publikisht. E në KALLXO.com ne ua garantojmë anonimitetin të gjithë atyre kallxuesve që zgjedhin të mbesin të tillë.

Na ka rënë të raportojmë për shkolla në të cilat investohen miliona, por prishen ende pa u bërë një vit, për spitale që nuk kryejnë shërbime të duhura për pacientët e varfër, për futbollin që u pranua në FIFA e UEFA por nuk ka një stadium që ekipi i Kosovës t’i zhvillojë ndeshjet si vendas, për një sallë opere që nuk u ndërtua kurrë…

Nuk janë bërë sepse së paku 25 milionë euro nga tatimet janë avulluar në xhepa ilegalë nga ky operacion i vjedhjes.

Por të kthehemi te Murati.

Ai është KALLXUESI i parë që ka vendos me ngritë alarmin publikisht. Për këtë, Murat Mehmeti ka shfrytëzuar platformën KALLXO.com. Ai nuk ka vendosur të bëhet KALLXUES vetëm pasi e kanë larguar prej punës, apo vetëm pasi nuk ia kanë mundësuar një synim karriere apo një tjetër favor çfarëdo qoftë.

Raporti i Murat Mehmetit i dërguar në KALLXO.com ku ai kallxon për shkeljet në ATK.
Raporti i Murat Mehmetit i dërguar në KALLXO.com ku ai kallxon për shkeljet në ATK.

Murat Mehmeti ka vendosur të bëhet KALLXUES për parregullsitë brenda institucionit ku ai punon, gjatë kohës kur është duke punuar dhe duke e kryer detyrën e vet.

Si inspektor në ATK, Murati ka nisur një hetim për vjedhje tatimore të përmasave industriale që kapin miliona euro.

Me pak fjalë, njësiti i hetimeve tatimore të ATK i ka pasur informatat që ekzistojnë disa kompani fantome të cilat u sillnin përfitime pronarëve me anë të shmangieve dallavereve në tatime. Murat Mehmeti dëshmoi në emisionin “Jeta në Kosovë” që hetimet kanë filluar krejt në pajtim me këtë ligjin. Por ATK ishte mjaftuar që nja 20 kompani të tilla i kishin kthyer nja 2.2 milionë euro në mënyrë vullnetare. Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” tregoi se ATK nuk ka vazhduar t’i ndjekë kompanitë tjera të cilat kanë vazhduar të mos i kthejnë paratë që i kanë pasur borxh ndaj shtetit, ndërsa prokuroria i kishte amnistuar kompanitë tjera të involvuara në këtë rast.

Kur Murat Mehmeti kishte insistuar që të vazhdohen hetimet, ndaj tij kishin filluar telefonatat.

Në vend se ta përkrahnin, Murat Mehmeti thotë se institucioni ku punon e kishte transferuar poshtë e nalt, duke ofruar pozita tjera të larta menaxheriale, vetëm që të heqë dorë nga hetimi për vjedhje tatimore.

Por Murat Mehmeti jo vetëm që nuk ka heshtur, por e ka çuar përpara hetimin duke përdorur të gjitha mekanizmat e mundur ligjorë që të KALLXOJË çka po ndodhë në ATK, në prokurori, në Polici… në këtë Kosovën tonë të brishtë.

Elemente tragjike e komike janë të gërshetuara në tërë këtë rrëfim. Duke filluar nga përpjekjet e penguara, njerëzit që janë gjetur për t’u kryer marifetet tatimore e deri te një reagim i pa fjalë- por që në fakt flet shumë- i Ali Rexhës, prokurorit që pretendon se po i del zot një hetimi shumëdimensional si ky në këtë rast.

Por ajo që shihet qartë është që Murat Mehmeti veç ka filluar të shihet me si halë në sy të shumë zyrtarëve të lartë në ATK. Zhvendosjet nga pozita e hetuesit nëpër pozita tjera dhe kthimi në pozitën aktuale (pas ankesave të tij) e tregojnë këtë më së miri. Dikush nga lartnuk don ta shohë Muratin të hetojë. Edhe drejtori i ATK-së, Nahit Sharku, e thotë troç se “Murat Mehmeti është e keqja më e madhe që ka mundur t’i ndodhë ATK-së”.

Krejt këtë situatë, Murat Mehmeti e ka përjetuar në lëkurë dhe tashmë e ka krijuar parullën e tij- e cila e demanton parullën elektorale të politikanëve të cilët thonë “zero tolerancë ndaj korrupsionit”.

“Te na ka zero tolerancë ndaj atyre që e hetojnë krimin”, thotë ai.

Prandaj raportet ndërkombëtare e hedhin Kosovën aty ku e hedhin në luftën kundër korrupsionit. 

Por, qëndroni edhe më tej me hulumtimin tonë. Nuk ia kemi dhënë kot epitetin “trilogji”. Gjëra që duken të pabesueshme për këtë vjedhje do të dalin në dritë në dy javët e ardhshme në “Jeta në Kosovë”.

Nuk keni parë gjë akoma!