Rukolli e Obligoi Dëshmitarin e Lushtakut për Deklaratë

Frikësimi i dëshmitarëve është një kapitull i veçantë në aktakuzën gjigante të prokurorit Romulo Mateus në rastin ku po akuzohen 24 persona lidhur me arratisjen e Sami Lushtakut.

Mateus pretendon se Sami Lushtaku, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota dhe Fatmir Mjaku kanë penguar të provuarit dhe kanë frikësuar gjatë procedurës penale.

Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota e Fatmir Mjaku akuzohen se në periudhën qershor 2013 – prill 2015 e kanë bërë një plan në bashkëpunim, i cili për qëllim kishte që dëshmitari C të bindej që të ndryshonte deklaratën.

“Plani ishte që ai të japë një deklaratë të rrejshme në çështjen penale P. 938/13 duke i premtuar atij një shpërblim prej 40 mijë euro dhe një banesë e po ashtu edhe pagesë për shërimin e gruas së tij të sëmurë në shkëmbim të tërheqjes së deklaratës së tij”, thuhet në aktakuzë.

I njëjti, sipas aktakuzës, në procedurën paraprake kur ishte intervistuar kishte dhënë prova të mëdha ndaj të akuzuarve Sahit Jashari, Sami Lushtaku e Sabit Geci.

Prokurori i EULEX-it përmend faktin se përkundër se gjatë rrjedhës së gjykimit u ndërmorën disa masa nga Gjykata siç ishin përdorimi i pseudonimeve për disa dëshmitarë, dhënia e dëshmisë përmes video-linkut, fshehja e të dhënave personale  dhe mbulimi apo ruajtja e identitetit të tyre, prapë dëshmitari C insistoi që të jepte deklaratën e tij në gjykim të hapur, personalisht, prezent.

http://kallxo.com/aktakuze-gjigante-per-arratisjen-e-sami-lushtakut/

Prokurori Matues përshkruan në aktakuzë se si deklarata e dëshmitarit në procedurë paraprake C ndryshoi rrënjësisht nga ajo e dhënë në shqyrtim gjyqësor.

“Që nga fillimi i paraqitjes së tij në Gjykatë ai tregoi një sjellje armiqësore drejt sistemit të drejtësisë, ishte e dukshme se ai kishte tendencë të sabotonte ballafaqimin me deklaratën e tij në procedurë paraprake. Ai totalisht kundërshtoi pretendimet e tij të dhëna në prokurori në fazën paraprake”, përshkruan Mateus sjelljen e dëshmitarit C në gjykimin e rastit “Drenica”.

Dëshmitari C në gjykim dha dëshminë më 5 dhe 11 dhjetor 2014, ndërsa në dëshminë e tij mohoi që kishte njohur Ivan Bullatoviqin, mohoi të kishte qenë në Likoc, e po ashtu edhe se njihte Sahit Jasharin, e aq më pak se ishte rrahur apo arrestuar nga ai.

Gjithashtu prokurori Mateus tregon se dëshmitari C tha se nuk ishte rrahur asnjëherë me shkop bejsbolli dhe se deklarata e tij e dhënë në procedurë paraprake ndonëse mbante nënshkrimin e tij- ishte falsifikuar.

Megjithatë, prokurori në aktakuzë përmend se sapo dëshmitari C e përfundoi dëshminë tri ditë më pas u përgjua në një bisedë telefonike, e cila ngjau më 14 dhjetor 2014.

“’Hej axhë/dajë, unë e përfundova me atë gjënë’, ndërsa bashkëbiseduesi në telefon ja kthen ‘Po dëgjoja dhe e di se ke ba mirë, dëgjova se ke thanë fjalë të mira gjithashtu… por do të flasim kur të shihemi’”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se dëshmitari C hyri në lojë menjëherë pas arrestimit të të akuzuarve më 31 maj 2013, dhe fillimisht dëshmitarit C i ishte afruar Rexhep Xhota duke i ofruar para, mbrojtje, trajtim mjekësor për gruan e sëmurë të dëshmitarit C, dhe një apartament.

Prokuroria pretendon se të gjitha këto oferta dhurata dhe pagesa ishin bërë me përfshirjen e Rrustem Rukollit, Fatmir Mjakut dhe Rexhep Xhotës.

“Këta persona bënë që dëshmitari C të jap një deklaratë për shtyp, në të cilën mohoi të ketë dhënë ndonjë deklaratë ndaj të akuzuarve të rastit “Drenica1””, thuhet në aktakuzë.

Prokurori Mateus pretendon se përpos kësaj dëshmitari C u detyrua të bëjë edhe diçka tjetër.

“Në fund të vitit 2013, dëshmitari C u detyrua nga Rrustem Rukolli të regjistrojë një CD në të cilën dëshmitari tha se nëse diçka do t’i ndodhte atij, EULEX-i duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në aktakuzën e prokurorit Mateus.

Prokurori pretendon se dëshmitari C u takua personalisht me Rukollin që e këshilloi se çfarë të thoshte në Gjykatë.

Prokurori pretendon se si rrjedhojë e kësaj dëshmitari C pranoi 30 mijë euro për qëllimin e trajtimit të gruas së tij në Beograd.

Na aktakuzën voluminoze, prokurori Matues gjithashtu pretendon  se pak ditë para se C të dëshmonte në Gjykatë, atij i ishte ofruar edhe një vend pune në zyrën e postës ndërsa në shkurt 2015, pasi që kishte dhënë dëshminë e rrejshme, Rexhep Xhota i kishte ofruar çelësat e apartamentit.

Prokurori pretendon se pak ditë para datës 30 mars 2015, kur dëshmitari C i njoftoi të akuzuarit se do të tregonte gjithçka tek EULEX-i, ai ishte vizituar dhe i ishin kërkuar t’i kthente çelësat e apartamentit dhe i ishte thënë se nuk do të kishte më mbështetje dhe se nuk do t’i rregullohej puna.

Prokurori përmend gjithashtu se si rezultat i të ndjerit nën kërcënim, dëshmitari C ka bërë një letër më 18 maj 2015 ku ka shprehur brengosjen e tij sepse ishte i “kërcënuar për vdekje nga Sami Lushtaku dhe Sahit Jashari”.

Në aktakuzën e prokurorisë janë përfshirë edhe qëndrimet  e të akuzuarve të dhëna në procedurë paraprake.

Rrustem Rukolli, në deklaratën e dhënë më 14 shtator 2016, ka thënë se ai nga fillimi ishte koordinator i mbrojtjes së Sami Lushtakut.

“Unë i kam përcjellur të gjitha seancat, përveç njërës. Dëshmitari C nuk ishte dëshmitar kundër Sami Lushtakut”, përshkruhet deklarimi i Rukollit në aktakuzë.

Arratisja e Lushtakut e Emëroi Thaqin Drejtor Burgu

Rukolli sipas aktakuzës ka thënë në procedurë paraprake se ai e ka marrë rolin e koordinatorit për shkak të aftësive të tij gjuhësore dhe nevojës së koordinimit me avokatët ndërkombëtarë.

Rukolli në aktakuzë përshkruhet se ka shërbyer në UÇK dhe se e ka njohur Sami Lushtakun nga fëmijëria.

Para e Banesa për Blerjen e Dëshmitarëve për Grupin ‘Drenica’