PAN-i dhe Disa nga Komunitetet në Takimin te Presidenti

Në takimin konsultativ të thirrur nga Presidenti Thaçi kanë ardhur vetëm përfaqësues të PAN-it dhe disa komuniteteve pakicë.

Të pranishëm në takimin ku do të diskutohet për datën e seancës konstituive të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit janë Valdete Bajrami, Pal Lerkaj, Mahir Yagcilar, Sllobodan Petroviq e Rasim Demiri.

“Jemi ende brenda afateve te rregullta por kemi nevojë të lëvizim përpara dhe të fillojmë pergaditjet për seancën e parë të kuvendit”, tha Thaçi

Bojkotimin e takimit me arsyetimin se është i panevojshëm e bënë të ditur më herët Lëvizja Vetëvendosje, Koalicioni LAA dhe Lista Serbe.

Por Pal Lekaj tha se i vjen keq që subjektet tjera nuk po marrin pjesë në takim.

“Na vjen keq që subjektet tjera politike që nuk i kanë fituar zgjedhjet dhe nuk janë në frymën e bashkëpunimit por po dominon interesi individual e klanor”, tha Lekaj, duke treguar që AAK-ja është për formimin e institucioneve brenda afateve ligjore.

Edhe Enver Hoxhaj nga PDK-ja tha se krijimi i institucioneve duhet të ndodhë sa më parë.

“Për ne si PDK formimi i qeverisë është domosdoshmëri meqë vendi ka nevojë të lëviz me një shpejtëso në reforma të brendshme”, tha Hoxhaj.

Ndërsa Valdete Bajrami nga Nisma i kërkoi administratës së Presidentit që të jepet drita jeshile për regjistrimin e deputetëve.

Ajo foli edhe për datën e seancës konstituive.

“Mendoj qe jemi në afak kohor të mirë dhe do të ishte optimale seanca të mbahet në fund të kësaj jave ose javën e ardhshme”, tha Valdete Bajrami, derisa regjistrimin e deputetëve e kërkoi edhe Danush Ademi.

Në fund të takimit, Presidenti Thaçi njoftoi se shumë shpejt do ta caktojë datën e seancës.

“Ju njoftoj që në përputhje të kompetencave të mia si President shumë shpejt do të shpallim datën e seancës. Shumë shpejt gjithë opinioni dhe partitë politike do të informohen për datën e seancës. Të gjitha do të jenë të koordinuara në bazë të afateve ligjore”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi ka afat deri më 8 gusht për të caktuar seancën konstituive të Kuvendit.