Takimi Thaci Kurti 1 prill 2020

Kriza politike, Thaçi vazhdon konsultimet me partitë tjera politike 

Presidenti  Kosovës, Hashim Thaçi, sot do të vazhdojë konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për hapat që duhet të ndërmerren për tejkalimin e situatës së re politike të krijuar pas votimit të mocionit për mosbesim ndaj Qeverisë.

Presidenca ka njoftuar se në orën 10:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ ryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollin, në orën 10:30, Thaçi e pret në takim konsultativ kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiqin.

Kurse në orën 11:00, presidenti do të takohet me  kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn, e në orën 11:30, ai e pret në takim konsultativ përfaqësuesit e Grupit Parlamentar “6 Plus”.

Ndërkaq, në orën 12:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

“Gazetarët, fotografët dhe kameramanët lejohen të qëndrojnë në hollin e Kuvendit. Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun do të përkujdesët që mediave t’ua dërgojë pamjet vizuale dhe fotografitë e këtyre takimeve”, thuhet në njoftim.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas takimeve me krerët e tri partive politike parlamentare dje, atë me Albin Kurtin e LVV-së, Isa Mustafën e LDK-së dhe Kadri Veselin e PDK-së, ka paralajmëruar edhe takimet për të enjten me përfaqësues të subjekteve të tjera parlamentare.

Në një adresim para mediave, Thaçi u zotua se nga këto procese do të ketë transparencë të plotë dhe respektim të Kushtetutës, ligjeve dhe praktikave të mëhershme, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti me 25 mars.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti nga mocioni i mosbesimit i inicuar nga partneri i tij qeverisës – LDK-ja, presidenti Thaçi është deklaruar se e ka në fokus formimin e një qeverie të unitetit, stabilitetit e gjithëpërfshirëse, duke mënjanuar mundësinë për shkuarjen ne zgjedhje të jashtëzakonshme, për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19.

Në takimin e djeshëm, lideri i LVV-së Abin Kurti kërkoi nga presidenti të mendojë rreth datës së zgjedhjeve, kurse Isa Mustafa nga LDK-ja  e Kadri Veseli tha se në këtë kohë janë kundër kundër mbajtjes së zgjedhjeve.