Nga konferenca e djeshme e opozitës

Opozita nuk Dëshiron të Bëhet Pjesë e Dialogut me Serbinë

Pasi Kryeministri Mustafa mbrëmë vonë tha për KTV-në se formati i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel do të ndryshojë për të pasur përkrahje më të gjerë, duke ofruar përfshirje në të të opozitës dhe shoqërisë civile, subjektet opozitare mohojnë se do të jenë pjesë e këtij dialogu.

Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovës Valdete Bajrami kur foli për KALLXO.com propozimin e Mustafës e cilësoi të parealizueshëm.

“Nisma për Kosovën kërkon nga z.Mustafa që të dorëhiqet dhe vendit e qytetarëve t’u ofrohen zgjedhjet e parakohshme dhe të mos flasë e të mos propozojë gjëra që edhe ai e di që nuk janë të realizueshme”, tha Bajrami për KALLXO.com.

Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj kërkoi që dialogu i deritashëm i nisur në vitin 2011 të ndërpritet.

Lekaj propozoi që dialogu të zhvillohet ndryshe dhe të ketë afat të caktuar.

“Ky dialog duhet të ndërpritet, e të bëhet një platformë e kjartë, me tema e me kornizë se deri kur dhe çka të bisedohet,” tha Lekaj.

Ai propozoi temat që duhet të trajtojë ky dialog.

“Këto negociata nuk duhet të ndodhin pa i pranuar Serbia si tema njohjen reciproke, kthimin e fondit pensional që ia kanë grabitur Kosovës gjatë luftës, kthimin e artefakteve, zbardhjen e fatit te të pagjeturve, dëmshpërblimi për të gjitha dëmet që ia ka shkaktuar Kosovës përmes ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve të vet dhe kërkim-faljen për të gjithë atë që e ka shkaktuar në Kosovë,” tha Lekaj.

Edhe në një sondazh të KDI-së të publikuar më 20 janar, të anketuarit kërkuan që çështja e të pagjeturve dhe e dëmeve të luftës të shqyrtohen në dialogun e Brukselit.

http://kallxo.com/qytetaret-duan-ceshtje-tjera-ne-dialogun-e-brukselit/

Partitë opozitare edhe dje e kundërshtuan vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel në një konferencë për gazetarë, në ditën kur u paralajmërua vazhdimi i këtij dialogu.

http://kallxo.com/opozita-ia-rikujton-qeverise-premtimet-e-vitit-2011-per-dialogun/

Dialogu-Kosovë-Serbi në Bruksel vazhdoi dje pas tensionimeve të fundit që shkaktoi ndalimi i Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze në bazë të një fletarrestimi të INTERPOL-it të lëshuar nga Serbia dhe treni që më 14 janar u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës Veriore, por ndaloi dhe u kthye mbrapsht në Rashkë të Serbisë.

Sot përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini kërkoi që këto tensione të lihen prapa.

http://kallxo.com/mogherini-kerkon-te-lihen-prapa-tensionet/

Por dialogu i zhvilluar mbrëmë si duket nuk do ta kthejë normalitetin edhe brenda institucioneve në Kosovë. Lista Serbe do të vazhdojë ta bojkotojë punën në to.

Deputeti i Listës Serbe, Nenad Rashiq tha për KALLXO.com se nuk e kanë asnjë informacion se çka është diskutuar dje dhe se a ka qenë çështja e bojkotit të palës serbe, temë diskutimi.

Lista Serbe filloi bojkotimin e institucioneve kosovare në tetor të vitit 2016 pas miratimit të Ligjit për “Trepçën” për ta vazhduar edhe pas shkarkimit të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal Ljubomir Mariq në dhjetor të vitit të kaluar.

Kryeministri Mustafa mbrëmë foli edhe për murin afër urës së Ibrit për të cilin edhe njëherë tha se nëse nuk e rrënojnë ata që e kanë ndërtuar, do të rrëzohet nga institucionet kosovare.

Dje KALLXO.com me produktin e tij Krypometrin mati vërtetësinë e deklaratës së BE-së se ura kryesore e lumit Ibër do të hapet për qarkullim më 20 janar, duke e cilësuar atë gënjeshtër.

Rrena e Kryptë për Urën mbi Ibër