Objekti i banimit social në Plemetin bëhet me kulm të ri - Foto: OSBE

Objekti i Banimit Social në Plemetin Bëhet me Kulm të Ri

Rreth 180 banorë të komunitetit rom dhe ashkali do të kenë mundësi të jetojnë në objektin e banimit social, që është bërë me kulm të ri.

NDËRLIDHUR

Kulmi i objektit në fshatin Plemetin të Obiliqit është rinovuar me mbështetjen financiare të Caritas Luksemburg, Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadës së Luksemburgut dhe Komunës së Obiliqit.

Banorët e këtij objekti gjashtëkatësh kanë qenë të ekspozuar ndaj kushteve të rënda klimatike, me shi e të ftohtë, që nga fillimi i shtatorit 2017, kur kulmi i dëmtuar nga dy incidente të mëhershme zjarri u shkatërrua plotësisht nga erërat e forta.

Në përpjekje për të gjetur zgjidhje për këtë çështje humanitare, Misioni i OSBE-së në Kosovë kishte organizuar një mbledhje urgjente me ambasadat, donatorët dhe komunën e Obiliqit më 18 tetor 2017, pas një vizite të shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tek objekti në fjalë për të parë shkallën e dëmeve.

“Ndihem i lehtësuar që po shoh përfundimin e riparimit të kulmit. Banorët e objektit, shumica e të cilëve të papunë, kanë jetuar në kushte të mjerueshme. Gjatë javëve në vijim, do të organizojmë një takim tjetër për t’i adresuar problemet e shkaktuara nga rrjedhjet dhe lagështia, si kanalizimi, uji dhe energjia elektrike”, tha Ambasadori Braathu.

13 Shkurt 2018 - 17:16

Doruntina Baliu 13/02/2018 - 17:16
NDËRVEPRIMI16
Prishtina Insight