Nga Budapesti Priten Lajme Pozitive për Futbollin

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri dhe president i Republikës, Hashim Thaçi, shpresojnë se e marta do të jetë një ditë e madhe për futbollin e Kosovës.

Në Budapest nesër mbahet Kongresi i UEFA-s dhe aty do të shqyrtohet edhe kërkesa e Kosovës për t’u pranuar si anëtare me të drejta të plota.

Për t’u anëtarësuar, Kosovës i duhen 28 vota në favor nga 54 federatat anëtare të UEFA-s

“Jemi këtu në vigjilje të udhëtimit tonë për në Budapest, ku pritet të mbahet Kongresi i radhës i UEFA-s dhe Federata e Futbollit të Kosovës është në rend të ditës të këtij Kongresi. Ne me mundësitë tona nuk jemi ndalur asnjëherë dhe gjithmonë kemi punuar me mundësitë tona dhe kemi ardhur deri këtu”, tha i pari i futbollit kosovar.

Me këtë rast, Fadil Vokrri përmendi edhe vështirësitë që i kanë pasur në shtatorin e vitit  të kaluar në Maltë, kur është marrë vendimi që të dërgohet në votim në Kongres pranimi i Federatës së Futbollit të Kosovës.

“Ne shpresojmë që do të kemi shumicën në këtë Kongres dhe të hapim rrugët e reja për të rinjtë dhe të rejat, sepse e kemi edhe futbollin e femrave”, shtoi Vokrri.

Ai u shpreh se pas inspektimit të fundit të cilin e ka bërë zyrtari I UEFA-s janë marrë hapat e menjëhershëm që infrastruktura të rregullohet në stadiumin e Mitrovicës, i cili është më afër që t’i plotësojë kushtet për zhvillimin e ndeshjeve me standarde evropiane.

“Shpresojmë që pas kthimit nga Budapesti të kemi edhe më shumë lajme pozitive”, shtoi në fund kryetari Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ndërsa, presidenti Hashim Thaçi tha se deri më tani Vokrri dhe ekipi i tij kanë bërë një punë të shkëlqyer në rrugën e integrimit të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

“Falë angazhimeve tuaja, ekspertëve tuaj, përpjekjeve maksimale që keni pasur, kohë më parë fituam të drejtën prej UEFA-s për ndeshje miqësore të reprezentacionit të Kosovës me vendet e tjera”, tha Thaçi.

Ai shtoi se ndeshjet miqësore kanë qenë të suksesshme dhe se në to u dëshmuar se Kosova po i plotëson gradualisht kriteret për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare.

“Ishin ndeshje atraktive, interesante, të suksesshme dhe në të njëjtën kohë u dëshmua edhe njëherë se Kosova po i plotëson gradualisht kriteret, standardet e nevojshme për pjesëmarrje në ligat evropiane por edhe në garat botërore të futbollit”, shtoi presidenti Thaçi.

Sipas presidentit, Kosova është një vend i talenteve, një prej më të fuqishmëve në Evropë për futboll, dhe se duhet të investohet edhe më tepër.

“Kosova tash pas një izolimi 25-vjeçar të futbollit dhe sportit në përgjithësi do të jetë pjesë e familjes së futbollit evropian dhe botëror. Mbesim me besim të fuqishëm, me bindje të plotë se do të fitohet shumica e mjaftueshme për mbështetje të Federatës së Futbollit të Kosovës që të jetë pjesë e UEFA-s”, shtoi në fund presidenti.

Në vitet 1990, futbolli kosovar ka vepruar në rrethana të jashtëzakonshme, meqë regjimi serb ekipet shqiptare i kishte përjashtuar nga fushat e blerta.

Në vitet pas pavarësimit të Kosovës Federata e Futbollit po bën përpjekje që të njihet nga dy familjet më të mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA.