Protesta në Gjakovë në mbështetje të Ramush Haradinajt. Foto: Kallxo.com

Në Gjakovë Kërkohet Lirimi i Haradinajt nga Burgu Francez

Ata u mblodhën në qendër të qytetit, në parkun “Shën Tereza” për të kërkuar që lideri i AAK-së të lirohet nga arresti ku një javë më parë u ndalua në bazë të një fletarresti serb të vitit 2004.

Marshuesit kërkuan edhe nga Qeveria e Kosovës t’i pezullojë bisedimet me Serbinë dhe nga autoritetet franceze që të lirojnë liderin e AAK-së.

Përveç në Gjakovë, protesta ku kërkohet lirimi i Haradinajt janë duke u mbajtur edhe në qytete tjera.

“Arrestimi i tij është arrestim i Kosovës. Ai u sakrifikua që ne të jemi të lirë, pa frikë e pa persekutim”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj.

Ndërsa kryetari i degës së AAK-së në Gjakovë, Ardian Gjini, tha se “Kosova po tregon që me të vërtetë Ramushi është Kosova”.

“Në të gjithë kemi qenë këtu e kemi parë historinë tonë, e kemi parë si jemi rritur. Ramush Haradinaj është simbol i shtetësisë së Kosovës, lirisë së Kosovës. Është burrë i randë i themelit të asaj që i themi sot pavarësi e iri”, tha Gjini.

Duke iu referuar veprimtarisë së Haradinajt gjatë luftës në Kosovë kur ishte komandat i Zonës së Dukagjinit të UÇK-së, Gjini tha se Serbisë po i pengon Ramush Haradinaj “sepse ia ka tregu vendin”.

“Por besomëni më shumë po ju pengon Ramush Haradinaj i sotëm, sepse nuk duan me lanë Kosovën me vrapu drejt suksesit të vet”, tha ai.