Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Miratohet Strategjia e Kosovës për Energjinë

Qeveria miratoi sot strategjinë për energji 2017-2026.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Kosovës miratoi Strategjinë e Energjisë 2017-2026.

NDËRLIDHUR

Para se të miratohej strategjia, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka foli për këtë strategji.

Lluka deklaroi se qëllimi i strategjisë është sigurimi i sigurimi i energjisë elektrike të qëndrueshme dhe cilësore.

Më tutje Lluka përmendi objektivat e strategjisë që tha se janë integrimi në tregun rajonal, rritja e kapaciteteve energjetike, zhvillimi i infrastrukturës së gazit natyror, burimet e ripërtërishme të energjisë.

Lluka tregoi edhe se qeveria do ta përkrahë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Ramush Haradinaj e pyeti pastaj ministrin e kabinetit të tij se a ka pasur partnerë ndërkombëtarë në hartimin e  strategjisë dhe mori përgjigje pozitive për këtë gjë.

Strategjia pastaj u miratua.

Qeveria miratoi sot edhe propozim-vendimin për organizimin dhe funksionalizimin e Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike.

Këtë propozim e paraqiti ministri Mahir Yagcilar.

Yagcilar reformën e administratës publike e konsideroi njërën nga shtyllat e rrugës europiane të Kosovës bashkë me sundimin e ligjit dhe zhvillimin e ekonomisë.

Në mbledhjen e qeverisë u miratua edhe kërkesa e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale që të konfirmohet interesi i përgjithshëm për shfrytëzimin e qymyrit nga KEK-u.

Qeveria aprovoi edhe koncept-dokumentin për ndërmarrjet publike.

Ministri Valdrin Lluka tha se ky koncept-dokument hap rrugë për hartimin e ligjit të ri dhe akteve tjera do të ndihmojë edhe në rritjen e performancës së bordeve dhe transparencës.

Qeveria në mbledhjen e kaluar shkarkoi dhjetë anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Qeveria ndau 40 mijë euro për ta përmbushur obligimin e Kosovës në Këshillin për Bashkëpunimin Rajonal me seli në Sarajevë.

06 Tetor 2017 - 15:11

Erjonë Popova 06/10/2017 - 15:11
NDËRVEPRIMI0