Shembje dheu - Foto: Facebook/PalLekaj

Ministri Tregon në Cilat Rrugë Ka Rrezik për Rrëshqitje Dheu

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka treguar së të gjitha rrugët që menaxhohen nga Ministria që ai drejton janë të kalueshme mirëpo ka bërë thirrje për shoferët që t’i respektojnë shenjat e komunikacionit dhe sa të jetë e mundshme të shmangin lëvizjet në disa zona malore.

Lekaj tregoi se gjatë paradites ka pasur rrëshqitje të dheut dhe nevojë për ndërhyrje në disa rrugë që të dërgojnë në pikat e larta të vendit.

“Momentalisht të gjitha rrugët që menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës janë të kalueshme, por me rrezikun potencial që të kemi raste të njëjta edhe gjatë natës. Kaçaniku, Rugova, Dragashi, Brezovica janë më të ndjeshme në këtë aspekt, prandaj ju bëjmë thirrje që për sa të jetë e mundshme shmangni lëvizjet në këto drejtime dhe respektoni shenjat që paralajmërojnë rrezikun dhe që tregojnë për shpejtësinë e lëvizjes”, ka shkruar ministri në profilin e tij në “Facebook”.

Ministri tha se kompanitë e mirëmbajtjes janë në kujdestari dhe bëri thirrje për bashkëpunim në mënyrë që të tejkalohen situatat e vështira.