Ratko Mlladiq në gjykatë.

Mbrojtja: Mlladiq Kurrë Nuk Urdhëroi Masakrat e Srebrenicës

Argumentet përmbyllëse të mbrojtjes së Ratko Mlladiqit filluan të premten në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Avokatët e komandantit të kohës së luftës thanë se “vrasjet fatkeqe” të boshnjakëve nga Srebrenica ishin akte “hakmarrjeje private” mbi të cilat kreu i Ushtrisë Serbe të Bosnjës nuk kishte asnjë kontroll.

Përsa i takon akuzës për gjenocid në Srebrenicë, ku më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, avokati mbrojtës Branko Lukiq tha se nuk kishte asnjë provë se Mlladiq kishte urdhëruar vdekjet.

“Përsa i takon vrasjeve fatkeqe që ndodhën në Srebrenicë, mbrojtja nuk e mohon se disa persona u vranë në akte oportune dhe të pakontrolluara hakmarrjeje personale nga anëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga vendas, dhe madje nga anëtarë renegatë të organit të sigurisë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës”, tha Lukiq.

“Këto vrasje nuk u urdhëruan nga gjenerali Mlladiq dhe u kryen në shkelje të drejtpërdrejtë të urdhrave të gjeneralit Mlladiq që u regjistruan disa herë dhe nga persona të shumtë, ku ka dekretuar se të gjithë të burgosurit e luftës do të shkëmbehen me palën tjetër”, shtoi ai.

Jo të gjithë boshnjakët nga Srebrenica që vdiqën ishin civilë, tha Lukiq, duke u shprehur se 70 për qind e viktimave të zhvarrosur nga varret masive ishin të regjistruar si ushtarë të Ushtrisë Boshnjake.

Prokuroria nuk siguroi prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzën për gjenocid, shtoi avokati i dytë mbrojtës i Mlladiqit, Dejan Ivetiq, duke theksuar se akuza përfshin qëllimin për të kryer akte për të shkatërruar një grup të tërë ose pjesërisht.

Ivetiq u shpreh se çdo provë që dilte kundër akuzës për gjenocid garantonte dyshime mjaftueshëm të arsyeshme për lirim nga akuzat.

Mlladiq gjithmonë këmbënguli se Ushtria Serbe e Bosnjës veproi në përputhje me Konventat e Gjenevës dhe ligjet dhe zakonet e luftës, këmbënguli Ivetiq.

Mlladiq akuzohet për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, e cila dyshohet se arriti në shkallë gjenocidi në disa komuna të tjera në vitin 1992, terrorizim të popullsisë së Sarajevës gjatë rrethimit 44 mujor të kryeqytetit boshnjak dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Mbrojtja argumentoi se në kundërshtim me imazhin e tij si “kasapi i Bosnjës”, Mlladiqi nuk ishte një përbindësh, dhe u përpoq të rrënjoste “disiplinë, nder dhe guxim” në trupat e tij.

Larg nga të qenit agresorë që kërkonin spastrim etnik, forcat serbe të Bosnjës ishin të angazhuara në një luftë mbrojtëse kundër kërcënimit të një “makine lufte” fundamentaliste islamike të udhëhequr nga presidenti boshnjak i kohës së luftës Alija Izetbegoviq, tha Lukiq.

Ai paraqiti një video të Izetbegoviqit duke shoqëruar një njësi luftëtarësh muhaxhidinë islamikë që erdhën në Bosnjë për të mbështetur qeverinë e tij të luftës ndërsa ajo luftonte kundër forcave serbe të Bosnjës të komanduara nga Mlladiqi.

Lukiq më pas tregoi një video të asaj që pretendohet të jetë e njëjta njësi luftëtarësh duke prerë kokat e luftëtarëve serbë.

Klipi i tmerrshëm tregon një ushtar muhaxhedin me këmbën e tij mbi disa koka të prera luftëtarësh.

Lukiq i krahasoi forcat e Izetbegoviçit me ISIS-in, dhe argumentoi se Ushtria Serbe e Bosnjës ishte e pakët në numër dhe e keqorganizuar; një “ushtri zhele”.

Ai pretendoi se Izetbegoviq kishte ardhur në pushtet “me një platformë fundamentalizmi islamik” që mbështeste superioritetin e myslimanëve ndaj serbëve.

Për të pranuar argumentin e prokurorisë – se Mlladiq ishte një pjesë e rëndësishme e aparatit komandues që organizoi një përpjekje gjenocidiale për të krijuar një shtet serb të pastër etnikisht – duhej besuar se forcat serbe të Bosnjës vepruan në një vakuum, sipas mbrojtjes, duke cituar mobilizimin e forcave qeveritare boshnjake dhe sulmet ndaj serbëve të Bosnjës nga disa ushtri, duke përfshirë muhaxhidinët, Ushtrinë Boshnjake dhe forcat kroate.

Sipas Lukiqit, i pandehuri, po përballej me një gjyq të njëanshëm në të cilin prokuroria u përpoq ta shpallte atë përgjegjës për krime mbi të cilat ai nuk kishte asnjë kontroll dhe po ndiqej penalisht “sepse ai është gjenerali Mlladiq“.

“Anëtarët joserbë të publikut tashmë e kanë dënuar klientin tonë”, tha Lukiq, duke u shprehur se gjyqi ishte treguar paragjykues dhe ishte përpjekur ta nxirrte Mlladiqin përgjegjës për “të gjitha krimet e kryera ndonjëherë nga serbët”.

Prokuroria, tha Lukiq, e kishte prezantuar çështjen e saj sikur Mlladiqi të ishte “supernjeri, që i dinte të gjitha dhe i gjithëpushtetshëm që mund të kontrollonte gjithçka dhe të gjithë” në Bosnjë në atë kohë.

http://kallxo.com/prokuroret-mladiq-terrorizoi-sarajeven-gjate-rrethimit/

Në lidhje me akuzat për terrorizim të popullsisë së Sarajevës, mbrojtja pretendoi se forcave serbe “iu tha vazhdimisht nga eprorët e tyre të ndalonin zjarrin” ndërsa Ushtria Boshnjake përdorte njerëz si mburoja njerëzore, duke vendosur trupa në ndërtesa civile për të qëlluar forcat serbe rreth qytetit, tha Lukiq.

Në komunat që pretendohet se ka pasur spastrim etnik nga forcat e Mlladiqit, Lukiq tha se civilët u larguan me dëshirën e tyre për shkak të mungesës së vendeve të punës, ushqimit dhe shërbimeve.

Mbrojtja do të vazhdojë të paraqesë argumentet e saj mbyllëse të hënën dhe të martën, dhe prokuroria e mbrojtja do të kenë të dyja mundësinë të hedhin poshtë argumentet përmbyllëse të njëra-tjetrës më 15 dhjetor.

Vendimi pritet vitin e ardhshëm.